Takimi vjetor i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York, sikurse çdo herë, edhe sivjet u shfrytëzua nga Serbia si platformë për propagandë kundër Kosovës.
Përpjekja e këtij shteti dhe kreut të tij, Aleksandar Vučić, për ta rishkruar historinë, u manifestua hapur në foltoren e OKB-së, përpara liderëve botërorë dhe në kundërshtim total me faktet dhe me të drejtën ndërkombëtare.
Vučić bëri atë që di të bëjë më së miri: përhapi gënjeshtra, luajti rolin e viktimës dhe nuk hoqi dorë nga diskursi kërcënues.
Pjesën dërmuese të fjalimit të tij, ai e konstruktoi mbi akuza ndaj vetë OKB-së, duke përdorur Kartën e OKB-së, si mjet, duke sfiduar autoritetin e kësaj organizate dhe, në të njëjtën kohë, duke shprehur mllefin ndaj ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë 27 vjet më parë, e më pas ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga afro 120 shtete.

Krimet e Serbisë në Kosovë, NATO-ja dhe realiteti i shtetit të Kosovës
Presidenti i Serbisë e di fare mirë se NATO-ja ndërhyri pas një periudhe të gjatë dhune, represioni dhe krimesh të dokumentuara ndaj shqiptarëve të Kosovës. Hetimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dokumentuan dëbimin nga Kosova me dhunë të 740 mijë shqiptarëve nga regjimi i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
Aktakuza ndaj Slobodan Milošević-it, ka dokumentuar vrasje të civilëve, dëbime të dhunshme, shkatërrim të shtëpive dhe objekteve fetare, si dhe dhunime të grave. Sipas të dhënave nga Humanitarian Law Center, 13,625 persona janë vrarë gjatë periudhës 1998–2000.
Për më tepër, ishte vetë NATO-ja, e cila në dokumentet e saj zyrtare të vitit 1999, e përshkruante politikën e Beogradit si një fushatë represioni, dhune dhe spastrimi etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe e lidhte ndërhyrjen me përpjekjen për ndalimin e katastrofës humanitare. Viktima të krimeve serbe në Kosovë janë edhe 1133 fëmijë.
Të dhënat e dokumentuara flasin për rreth 20 mijë gra dhe burra të dhunuar seksualisht gjatë luftës. Këto fakte janë përmendur edhe në vitin 2023, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani.
Prandaj, shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte rrjedhojë e përpjekjes së shqiptarëve të Kosovës për liri, ndërsa pretendimi i Vučićit për “paligjshmëri” është në kundërshtim me opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Më 22 korrik 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit apo Kornizën Kushtetuese.
Kosova, ndërkaq, është realitet politik dhe juridik që Serbia mund ta kundërshtojë, por nuk mund ta zhbëjë, ngase aktualisht është shtet i njohur ndërkombëtarisht nga 120 shtete.
Dialogu Kosovë–Serbi nuk mund të fshihet pas deklaratave propagandistike të Vučićit, i cili atë e lidh vetëm me Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023 dhe krijimin e Asociacionit të Komunave. Obstruksionet e palës serbe e kanë bërë që ky proces të ngecë, gjë të cilën e ka pranuar edhe vetë BE-ja, nëpërmjet një reagimi zyrtar.
Prandaj Serbia nuk është fare e interesuar për të zbatuar çfarëdo marrëveshjeje të arritur në procesin e dialogut, gjë të cilën e ka dëshmuar edhe me veprime të tjera të dokumentuara nga Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2025. Sipas këtij Raporti, marrëveshjet teknike të dialogut të viteve 2011–2012 janë ende pjesërisht të zbatuara dhe se zbatimi i marrëveshjeve për kadastrën dhe njohjen e diplomave universitare mbetet pezull për shkak të moszbatimit nga Serbia.
Pengesat e shkaktuara nga Beogradi janë të natyrës politike dhe jo teknike. Komisioni Evropian ka konstatuar se Serbia ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndonëse neni 4 i Marrëveshjes së Ohrit përcakton se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Gjithnjë sipas këtij Raporti, Serbia e ka bërë këtë veprim në mënyrë të vazhdueshme.
Prandaj, Dialogu, sikurse edhe marrëveshjet që ka derivuar ai, nuk janë zbatuar për shkak të obstruksioneve të Serbisë dhe mungesës së vullnetit politik të saj.
Shmangia e përgjegjësisë për agresionin në Banjskë dhe sulmin terrorist në Ibër-Lepenc
Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Vučić e reduktoi problemin e dialogut në një çështje të vetme, atë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për agresionin në Banjskë nuk e tha asnjë fjalë në kuptimin e përgjegjësisë së Serbisë, asnjë fjalë për autorët e agresionit, kryeterroristin Milan Radoičić dhe grupin e tij të armatosur, asnjë shpjegim për refuzimin e Beogradit që ky grup terroristësh të përballet me drejtësinë në Kosovë. Nuk pati asnjë fjalë as për sulmin ndaj kanalit Ibër-Lepenc, të cilin Bashkimi Evropian e cilësoi si sulm terrorist. Në vend të kësaj, Vučić paraqiti vetëm një pjesë të obligimeve të dialogut, në funksion të politikës së tij propaganduese.
Agresioni i Serbisë në Banjskë është shembulli më i qartë sesa larg është procesi i normalizimit nga zbatimi real i marrëveshjeve. Më 24 shtator u bënë tre vjet nga sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Bashkimi Evropian e ka cilësuar sulmin si përshkallëzimin më të rëndë në vitet e fundit dhe ka konstatuar se procesi i normalizimit vazhdon të dëmtohet nga hapat e pamjaftueshëm të Serbisë për të siguruar përgjegjësinë për këtë sulm.
Dallimi është i qartë. Në Kosovë, procesi gjyqësor ka avancuar, ndaj në prill 2026 Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi dy të akuzuar me burgim të përjetshëm dhe të tretin me 30 vjet burgim për sulmin. Në Serbi, ndërkaq, Milan Radoičić, i cili përmes avokatit mori përgjegjësinë për organizimin, udhëheqjen dhe pjesëmarrjen në sulm, ende nuk është përballur me një aktakuzë për Banjskën. Edhe Parlamenti Evropian ka kritikuar dhe Serbinë për shkak të mosndjekjes penale ndaj grupit terrorist të Radoičiqit
Për sa kohë Serbia refuzon të mbajë përgjegjësi për Banjskën dhe nuk e ekstradon në Kosovë Radoičićin dhe pjesëtarët e grupit të tij, është tejet e vështirë të ketë rikthim në dialog dhe normalizim të marrëdhënieve.
Sikur të mos mjaftonte ky agresion, më 29 nëntor 2024, rreth orës 19:00, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, u krye edhe sulmi ndaj kanalit Ibër-Lepenc. Shpërthimi dëmtoi rëndë infrastrukturën kritike të kanalit, i cili furnizon me ujë një pjesë të madhe të Kosovës dhe është i rëndësishëm për sistemin energjetik. Të njëjtën ditë, edhe Bashkimi Evropian e dënoi sulmin ndaj kanalit Ibër-Lepenc në Zubin Potok dhe e cilësoi sulm terrorist.
Parlamenti Evropian ka vlerësuar vazhdimin e përafrimit të Kosovës me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë qëndrimin ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe zbatimin e masave kufizuese të BE-së ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë. Në të njëjtën kohë, dokumenti e përshkruan Kosovën të orientuar qartë në rrugën evropiane dhe transatlantike.
Ndryshe nga Kosova, Serbia vazhdon të mbajë një qëndrim të ndryshëm nga politika e BE-së ndaj Rusisë. Një analizë e Shërbimit Kërkimor të Parlamentit Evropian, e publikuar në shtator 2026, thekson se Beogradi nuk është bashkuar me sanksionet e BE-së ndaj Moskës, ndërsa në maj 2026 përafrimi i tij me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së ishte 63 për qind.
Përpjekjen për devijimin e fakteve në fjalimin e tij në OKB, presidenti serb e vazhdoi edhe me qëndrime të tjera agresive, jo vetëm në raport me Kosovën. Duke përmendur Ukrainën, integritetin territorial, Kartën e OKB-së dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, ai u përpoq ta vendosë Kosovën në të njëjtën kornizë me pushtimin rus të Ukrainës.
Vučić flet për Kartën e OKB-së sikur ajo të kishte prodhuar një rezultat juridik përfundimtar mbi statusin e Kosovës që e përjashton pavarësinë. Por pikërisht këtë pretendim e ka vënë në pikëpyetje organi kryesor gjyqësor i Kombeve të Bashkuara. Në opinionin këshillëdhënës të 22 korrikut 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Gjykata konstatoi gjithashtu se deklarata nuk e kishte shkelur Rezolutën 1244.
Ky është një element, të cilin Vučić e anashkalon kur e ndërton argumentin mbi Ukrainën. Ai kërkon që bota të respektojë integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa vetë Serbia vazhdon të refuzojë një pjesë të rëndësishme të realitetit politik dhe juridik që është krijuar në Kosovë pas vitit 1999.
Ky realitet e ka emrin Republika e pavarur dhe sovrane e Kosovës.





