Polonia dhe Lituania përgatisin plan evakuimi në rast të një krize ushtarake

Bota

Polonia dhe Lituania po punojnë për një plan ndërkombëtar evakuimi për civilët në rast të një krize të madhe ose kërcënimi ushtarak. Nëse do të ishte e nevojshme, plani do të mundësonte që banorë nga Lituania, Letonia dhe Estonia të evakuoheshin përmes kufirit polak. Kreu i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave në Lituani, Vilmantas […]

Madhësia e shkronjave

Polonia dhe Lituania po punojnë për një plan ndërkombëtar evakuimi për civilët në rast të një krize të madhe ose kërcënimi ushtarak.

Nëse do të ishte e nevojshme, plani do të mundësonte që banorë nga Lituania, Letonia dhe Estonia të evakuoheshin përmes kufirit polak.

Kreu i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave në Lituani, Vilmantas Vitkauskas, tha se puna për planin ka nisur tashmë.

Përfaqësuesit e dy vendeve po shqyrtojnë procedurat, logjistikën dhe kapacitetet e infrastrukturës, shkruan euronews.

Ndërsa një plan i detajuar pritet të hartohet pasi Polonia dhe Lituania të arrijnë një marrëveshje.

Përgatitjet po zhvillohen në kuadër të stërvitjeve “Vyčio Skliautas 2026”, të nisura më 25 shtator për të testuar sistemin e mobilizimit dhe bashkëpunimin institucional në situata krize.

Rreth 3,000 zyrtarë, pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe përfaqësues institucionesh, së bashku me rreth 1,000 vullnetarë, po marrin pjesë në stërvitje.

Po testohen gjithashtu sistemet e alarmimit, pikat e grumbullimit, transporti dhe lëvizja e të evakuuarve.

Në qendër të planit është korridori Suwałki, një brez territori që lidh Poloninë me Lituaninë dhe, përmes saj, shtetet baltike me pjesën tjetër të aleatëve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Ky korridor ka rëndësi të madhe për lëvizjen e trupave dhe furnizimeve, por edhe për evakuimin e civilëve në rast të një krize serioze.

“Korridori Suwałki ka rëndësi të jashtëzakonshme, si nga pikëpamja ushtarake, ashtu edhe logjistike”, tha Vitkauskas.

Polonia përgatitet të presë të evakuuarit

Polonia po përgatitet gjithashtu për mundësinë e pritjes së banorëve të evakuuar nga shtetet baltike.

Përfaqësues nga Lituania dhe Letonia kanë vizituar Poloninë për të diskutuar evakuimet masive, mbrojtjen civile dhe mënyrën e pritjes dhe akomodimit të personave të zhvendosur.

Lituania ka hartuar tashmë planin e saj kombëtar të evakuimit.

Një nga rrugët kryesore parashikon lëvizjen nga Vilniusi drejt kufirit me Poloninë, ndërsa autoritetet polake po përgatisin rajonin e Podlaskisë për një rol të mundshëm si korridor tranziti.

Autoritetet lituaneze kanë theksuar se këto janë stërvitje për përgatitjen ndaj krizave dhe nuk nënkuptojnë se po pritet një kërcënim i menjëhershëm. /Telegrafi/