Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi nga kongresisti amerikan George Latimer, me rastin e konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe fillimit të mandatit të ri si kryeministër.
Në letrën e tij, Latimer ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Kurtin dhe institucionet e Kosovës në avancimin e, siç ka thënë ai, vlerave të përbashkëta të dy vendeve.
“Teksa nisni mandatin tuaj të katërt si Kryeministër, pres me kënaqësi të bashkëpunoj ngushtë me ju dhe kolegët tuaj për avancimin e vlerave të përbashkëta të dy vendeve tona, përfshirë demokracinë, sundimin e ligjit dhe prosperitetin ekonomik”, ka shkruar Latimer.

Në letrën e tij, kongresisti amerikan është ndalur edhe te zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës.
Ai u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të rikthehen në tryezën e negociatave dhe të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja parlamentare.
“I inkurajoj të gjitha partitë politike në Kosovë që të kthehen në tryezën e negociatave për të arritur një marrëveshje për Presidentin e ri, në mënyrë që të shmanget një cikël tjetër i kushtueshëm i zgjedhjeve parlamentare”, ka shkruar ai.
Latimer ka theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi ndërmjet partive për çështjet me interes kombëtar janë të rëndësishme për funksionimin e një shoqërie demokratike, duke iu referuar edhe përvojës së Shteteve të Bashkuara.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ditë më parë theskoi se afati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit është deri më 6 tetor.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Gjykata tha po ashtu se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. /Telegrafi/




