Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte trajneri i njohur kosovar, Gani Sejdiu, i cili foli për rrugëtimin e tij në futboll, nga karriera si futbollist te sukseset e shumta si trajner. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.
Gjatë bisedës, Sejdiu rikujtoi fillimet e karrierës dhe titullin e kampionit të Kosovës të fituar me Trepçën si futbollist në sezonin 1992/93, ndërsa foli edhe për kalimin në zejen e trajnerit dhe sukseset me Trepçën, ku fitoi titullin dhe Superkupën.

Ai u ndal edhe te periudha e suksesshme me Feronikelin, ku fitoi titullin dhe Kupën e Kosovës.
Trajneri kosovar foli edhe për eksperiencat në klubet e tjera, përfshirë Besën e Pejës dhe periudhën kur ishte afër drejtimit të Prishtinës, ndërsa një pjesë e veçantë iu kushtua dy djemve të tij, Florentit dhe Isufit, të cilët gjithashtu kanë luajtur futboll.
Në pjesën e dytë të bisedës, Sejdiu analizoi Kombëtaren e Kosovës, fitoren ndaj Irlandës dhe sfidën e radhës ndaj Austrisë.
Ai foli për atë që duhet të përmirësojnë “Dardanët”, çfarë do t’u kërkonte lojtarëve ndaj Austrisë dhe dha vlerësimin e tij për punën e Franco Fodës.
Episodin e plotë me Gani Sejdiun mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube. /Telegrafi/





