Shpërthen kriza te Irlanda, ylli i kombëtares u thotë shokëve se nuk dëshiron të luajë ndaj Izraelit

Sport

Tensionet kanë marrë përmasa të reja në kampin e Kombëtares së Irlandës para duelit me Izraelin në Ligën e Kombeve, pasi portieri Gavin Bazunu raportohet se u ka thënë bashkëlojtarëve se nuk dëshiron të luajë në këtë ndeshje. Sipas The Irish Times, Bazunu e ka shprehur këtë qëndrim gjatë një takimi të premten, ndërsa raportohet […]

Madhësia e shkronjave

Tensionet kanë marrë përmasa të reja në kampin e Kombëtares së Irlandës para duelit me Izraelin në Ligën e Kombeve, pasi portieri Gavin Bazunu raportohet se u ka thënë bashkëlojtarëve se nuk dëshiron të luajë në këtë ndeshje.

Sipas The Irish Times, Bazunu e ka shprehur këtë qëndrim gjatë një takimi të premten, ndërsa raportohet se edhe disa futbollistë të tjerë të Irlandës po e konsiderojnë një veprim të ngjashëm. Ndërkohë, mediumi Th42 ka raportuar se pesë lojtarë janë të përfshirë në këtë çështje.

Ndeshja Izrael – Irlandë është planifikuar të zhvillohet të dielën nga ora 20:45 në Debrecen të Hungarisë, ku Irlanda do të jetë mysafire. Megjithatë, zhvillimet e së shtunës kanë krijuar paqartësi rreth përgatitjeve të skuadrës.

Skuadra irlandeze ka qëndruar në hotel për një takim me përzgjedhësin Heimir Hallgrimsson dhe pjesëtarët e tjerë të stafit. Konferenca për media e planifikuar në mëngjes u shty, ndërsa Irlanda nuk u paraqit as në stërvitjen e paraparë në “Nagyerdei Stadium”. Deri tani nuk është bërë e ditur se kur do të zhvillohet konferenca.

Lojtarët fillimisht e kanë diskutuar situatën gjatë së shtunës, ndërsa sipas The Irish Times, Bazunu kishte bërë të qartë një ditë më herët se nuk dëshironte të merrte pjesë në përballjen ndaj Izraelit.

Portieri 24-vjeçar i Bolton Wanderers ishte rezervist në ndeshjen e së enjtes ndaj Kosovës në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku “Dardanët” triumfuan 1-0 falë golit të Vedat Muriqit. Bazunu ka 22 paraqitje me Kombëtaren e Irlandës.

Çështja ka qenë e ndjeshme edhe para fillimit të kësaj ndeshjeje. Në Irlandë ka pasur thirrje që përballjet me Izraelin të mos zhvillohen, ndërsa më shumë se 160 sportistë irlandezë kanë nënshkruar një letër të hapur në të cilën kërkohet anulimi i ndeshjes.

The Irish Times kishte raportuar më herët se disa lojtarë të Irlandës ndiheshin “shumë të parehatshëm” me përballjet ndaj Izraelit, ndërsa vetë Hallgrimsson kishte folur publikisht për rëndësinë e përmbushjes së detyrimit për t’i zhvilluar këto ndeshje.

Ndërkohë, Federata e Futbollit e Irlandës kishte kërkuar zyrtarisht nga UEFA në nëntor të vitit të kaluar suspendimin e Federatës së Futbollit të Izraelit./Telegrafi/