Brazili ndalon plotësisht bastet online, qytetarëve u shlyhen deri në 90 për qind të borxheve

Bota

Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, njoftoi të premten ndalimin e basteve online në vendin më të madh të Amerikës së Jugut, si dhe prezantoi një program të ri që synon t’ua lehtësojë familjeve shlyerjen e borxheve. Përmes një dekreti ekzekutiv, Lula da Silva ndalon aktivitetin e kompanive të basteve online në Brazil, […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, njoftoi të premten ndalimin e basteve online në vendin më të madh të Amerikës së Jugut, si dhe prezantoi një program të ri që synon t’ua lehtësojë familjeve shlyerjen e borxheve.

Përmes një dekreti ekzekutiv, Lula da Silva ndalon aktivitetin e kompanive të basteve online në Brazil, më pak se dy vjet pasi qeveria kishte krijuar kuadrin ligjor që i mundësonte kësaj industrie të operonte.

Dekreti duhet të miratohet nga Kongresi brenda 120 ditësh për të mbetur në fuqi, raportojnë mediat.

Autoritetet braziliane paralajmërojnë se rritja e shpenzimeve për lojërat e fatit ka rënduar buxhetet familjare dhe ka kontribuar në nivele rekord të borxheve të familjeve.

Sipas sondazheve të fundit, rreth tri të katërtat e brazilianëve mbështesin ndalimin e plotë të basteve online.

“Përballemi me një problem të shëndetit publik të lidhur me bastet online. Është një problem serioz”, tha ministri i Financave, Dario Durigan.

Faqet e kompanive të basteve do të jenë të qasshme deri më 5 tetor, në mënyrë që përdoruesit të mund të tërheqin paratë e mbetura në llogaritë e tyre.

Nga 6 tetori, operatorët e rrjeteve dhe platformat e aplikacioneve do të duhet të bllokojnë qasjen në këto faqe.

Bastet online u legalizuan në Brazil në vitin 2018, gjatë mandatit të ish-presidentit Michel Temer.

Në vitin 2023, Lula da Silva nënshkroi një ligj që përcaktonte rregullat për këtë industri dhe lejonte, krahas basteve sportive, edhe lojërat në kazinotë online.

Që nga janari i vitit 2025, operatorët e licencuar mund të ofrojnë shërbimet e tyre në të gjithë vendin, nëse paguajnë tarifën e koncesionit dhe plotësojnë kërkesat e tjera rregullatore. /Telegrafi/