Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ka mohuar akuzat ndaj saj gjatë një seance me dyer të mbyllura në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, ndërsa ka kërkuar që telefoni i saj të ekzaminohet nga agjenci partnere jashtë Shqipërisë.
Detaje nga seanca, e cila zgjati rreth një orë e 30 minuta, janë bërë të ditura nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, në emisionin “Top Story”.
Sipas saj, Hyseni mbërriti në SPAK pak para orës 12:00, e shoqëruar nga avokati i saj, ndërsa gjatë seancës prokurorët kanë vijuar me paraqitjen e të dhënave dhe fakteve të dyshuara, një pjesë e të cilave lidhen me natyrën e detyrës që ajo ka mbajtur.
“Burime jozyrtare, por shumë të besueshme pranë SPAK, që vendosën të flasin në rrugë anonime, thanë se prokurorët kanë vijuar me leximin e të dhënave dhe renditjen e fakteve të dyshuara që mbeten mjaft sekrete”, deklaroi Hoxha.
Sipas gazetares, Hyseni ka hedhur poshtë akuzat dhe ka kërkuar ekspertimin e telefonit të saj jashtë Shqipërisë.
“Hyseni ka hedhur poshtë akuzat, ka kërkuar ekspertim të telefonit, që nuk duhet të kryhet në Shqipëri, por nga agjencitë partnere”, tha Hoxha.
Ajo shtoi se telefoni i ish-drejtoreshës së SHISH është sekuestruar, ndërsa Hyseni ka pretenduar gjithashtu se gjatë kohës kur ka drejtuar institucionin nuk ka dalë prej saj asnjë dokument i klasifikuar.
Gazetarja theksoi se SPAK ka rikujtuar se ndalohet publikimi i të dhënave të dala nga seanca me dyer të mbyllura.
Në gjykatë janë paraqitur edhe persona të tjerë të dyshuar në kuadër të çështjes.
Sipas Hoxhës, Embro Sulejmani, i punësuar në një subjekt privat si kamarier, ka mohuar përfshirjen në ndonjë veprim kriminal dhe ka deklaruar se e njihte Agasin për shkak se të dy janë nga Durrësi, duke pretenduar se vetëm e kishte ndihmuar me ushqim.
Ndërkohë, përgjegjësi i Policisë Shkencore, Fation Kalloshi, sipas gazetares, ka deklaruar se nuk kujton të ketë dërguar informacione në telefonin e Agasit.
Hoxha ka folur gjithashtu për një deklaratë të Hysenit në adresë të gazetares Klodiana Lala, të cilën ajo e ka interpretuar si kërcënuese dhe shantazhuese.
Pas përfundimit të seancës, gazetarët kanë tentuar t’i drejtojnë pyetje Hysenit lidhur me hetimet dhe detyrën që ajo ka mbajtur në krye të SHISH-it.
Megjithatë, sipas Hoxhës, ish-drejtoresha është larguar nga ambientet e SPAK pa dhënë asnjë deklaratë.
“Ajo që morën gazetarët ishte largimi i Vlora Hysenit në heshtje”, tha Hoxha.






