Klubi serb i futbollit Crvena zvezda ka publikuar një mesazh me tone nacionaliste në ditën e trevjetorit të sulmit të armatosur në Banjskë, ku më 24 shtator 2023 u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në kanalet zyrtare të klubit është publikuar mesazhi: “Lavdi e përjetshme heronjve të Banjskës”, përmes të cilit përkujtohen tre serbët e vrarë gjatë përleshjeve me Policinë e Kosovës.

Crvena zvezda ka shpërndarë gjithashtu një fotografi nga koreografia e tifozëve të saj “Delije”, ku shihet mbishkrimi “Ende nënat lindin Obiliqë”, një referencë ndaj Milosh Obiliqit, figurë e traditës epike serbe.
Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, kur një grup i armatosur serb u përlesh me Policinë e Kosovës.
Në sulm u vra rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë përleshjeve u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit serb: Stefan Nedeljkoviq, Igor Milenkoviq dhe Bojan Mijailoviq.
Sipas raportimit të BBC-së në serbisht, Nedeljkoviq ishte gjithashtu tifoz i Crvena zvezdës dhe pjesëtar i grupit “Delije”.
Publikimi i klubit vjen pikërisht në përvjetorin e tretë të ngjarjeve në Banjskë dhe e zhvendos edhe një herë vëmendjen te përdorimi i futbollit dhe tribunave sportive për mesazhe politike dhe nacionaliste.
Crvena zvezda ishte kritikuar edhe më herët gjatë këtij muaji pasi në kanalet e saj zyrtare kishte promovuar një koreografi të tifozëve me përmbajtje politike./Te;egr





