SHBA-ja i kthen Sirisë objekte antike të vjedhura me vlerë 5 milionë dollarë

Bota

Zyrtarët amerikanë njoftuan të mërkurën kthimin në Siri të 36 objekteve antike të vjedhura, përfshirë një gur të trafikuar gjatë shkatërrimit të vendit arkeologjik të Palmyra nga ISIS-i. Autoritetet i konfiskuan këto objekte – vlera totale e të cilave i kalon 5 milionë dollarët – nga Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork dhe nga […]

Madhësia e shkronjave

Zyrtarët amerikanë njoftuan të mërkurën kthimin në Siri të 36 objekteve antike të vjedhura, përfshirë një gur të trafikuar gjatë shkatërrimit të vendit arkeologjik të Palmyra nga ISIS-i.

Autoritetet i konfiskuan këto objekte – vlera totale e të cilave i kalon 5 milionë dollarët – nga Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork dhe nga disa koleksionistë të artit antik.

“Ceremonitë e riatdhesimit janë një kujtesë e fuqishme se ruajtja e trashëgimisë kulturore i kapërcen kufijtë dhe kombësitë”, ka thënë Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg.

Sipas një njoftimi për shtyp, guri nga Palmyra ishte marrë nga vendi i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Palmyra, para se pjesëtarët e ISIS-it të shkatërronin një pjesë të madhe të qytetit midis viteve 2015 dhe 2017.

Me një peshë prej më shumë se 450 kilogramësh, skulptura prej guri gëlqeror të gdhendur paraqet një figurë mashkullore të shtrirë, të rrethuar nga një grua dhe tre fëmijë.

Ndër vite, Shtetet e Bashkuara u kanë kthyer objekte antike të grabitura disa vendeve, përfshirë Kinën, Greqinë dhe Italinë.

Mohammad Kanatri, i ngarkuari me punë i Sirisë në Uashington, tha se ky transferim tregon se si “një angazhim i përbashkët për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore mund të ndërtojë ura të qëndrueshme midis dy vendeve tona”.

“Përmes bashkëpunimit siriano-amerikan, një pjesë e historisë së Sirisë po kthehet më në fund në atdhe, falë përpjekjeve të Zyrës së Prokurorit të Qarkut të Manhatanit”, citohet të ketë thënë ai në një deklaratë.

Katër nga objektet antike u konfiskuan nga koleksionisti amerikan Michael Steinhardt, i cili në vitin 2021 ktheu rreth 180 objekte të vjedhura nga e gjithë bota, si pjesë e një marrëveshjeje me qeverinë amerikane. Vlera totale e këtyre objekteve ishte 70 milionë dollarë.

Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit bëri të ditur se 13 objektet e konfiskuara nga Muzeu Metropolitan (Met) ishin pjesë e 402 objekteve antike – me vlerë 98.7 milionë dollarë – që janë marrë nga ky institucion kulturor që nga viti 2017. /Telegrafi/