Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka kritikuar ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për homologun rus, Vladimir Putinin.
Kallas tha se ishte “shumë e vështirë” për t’u dëgjuar kjo ftesë, duke iu referuar akuzave ndaj pjesëtarëve të inteligjencës ruse për vrasje të amerikanëve në territorin e Shteteve të Bashkuara.
“Vetëm pak ditë më parë, disa oficerë të inteligjencës ruse u akuzuan për vrasjen e amerikanëve në territorin amerikan”, tha Kallas.
Ajo ngriti edhe pyetjen nëse këta pjesëtarë të inteligjencës veprojnë në mënyrë të pavarur apo nëse marrin urdhra nga presidenti rus.
“Dhe mund t’ju them se ata marrin urdhra nga presidenti Putin”, u shpreh Kallas.
Ndryshe, ftesa për Putinin u bë nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, në emër të administratës amerikane. Rubio e konfirmoi më 23 shtator pas takimit me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. /Telegrafi/






