Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin ka vërtetuar pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Idriz Alija ishte dënuar me dënim unik prej 11 vjet burgim për tentim vrasjen e gruas me të cilën bashkëjetoi. Kështu, Apeli e ktheu rastin në rigjykim për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë, kurse vërtetoi dy pikat tjera të aktgjykimit.
Sipas vendimit të Apelit të përpiluar më 11 shtator 2026, janë aprovuar pjesërisht ankesat e mbrojtësve të Aliajt, avokatëve Kosovare Kelmendi dhe Haxhi Millaku, kështu pjesa e dispozitivit të parë të aktgjykimit të Themelores anulohet dhe rasti kthehet në rigjykim. Kurse, për pikat tjera të aktgjykimit (për armëmbajtje pa leje dhe mospërfillje të gjykatës), u vërtetuan, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Refuzohen të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të të akuzuarit Idriz Alija, av. Kosovare Kelmendi dhe av.Haxhi Millaku, sa i përket vendimit mbi dënimin lidhur me veprat penale nga dispozitivi II dhe III të aktgjykimit të ankimuar, ashtu që dispozitivi i II-të dhe III-të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.205/2024 të datës 27.04.2026, VËRTETOHET”, thuhet në vendim.
Në këtë rast, Idriz Alija akuzohet për tentim vrasje të rëndë ndaj Sh.T., me të cilën kishte bashkëjetuar. Po ashtu, akuzohet për armëmbajtje pa leje dhe mospërfillje të gjykatës.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 7 prill 2026 ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Alija, duke e dënuar me dënim unik prej 11 vjet burgim.
Kundër aktgjykimit të Themelores, kishte parashtuar ankesë mbrojtësja e të akuzuarit Alija, avokatja Kosovare Kelmendi për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënimin.
Kelmendi kishte propozuar që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën dhe aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë, ashtu që të akuzuarin Alija ta shpall fajtor për veprën penale të “Vrasjes në tentativë të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, ose aktgjykimin e ankimuar ta anulojë dhe ta kthejë lëndën në rigjykim.
Ndërsa, avokati Haxhi Millaku kishte parashtuar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit jo të plotë dhe të gabuar të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënimin.
Millaku propozoi që Apeli ta aprovojë ankesën dhe aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë, ashtu që të akuzuarin Alija ta shpall fajtor për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarit Alija, ndërsa aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.
Sipas Apelit, pika I e dispozitivit të aktgjykimit të shkallës së parë është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi që në pjesën e arsyetimit nuk janë paraqitur arsye të qarta dhe të mjaftueshme për të gjitha pikat e aktgjykimit dhe nuk janë vlerësuar dhe arsyetuar në mënyrën e duhur provat që janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Po ashtu, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë, ka dështuar të paraqesë faktet kontestuese dhe jokontestuese lidhur me këtë pjesë të aktgjykimit të cilën veçse e ka obligim ligjor sipas Kodit të Procedurës Penale.
Në vendimin e Apelit thuhet se kolegji penal ka vërejtur se në aktakuzën e Prokurorisë në cilësinë e dëshmitarit – të dëmtuarit ishte propozuar edhe i mituri E.T., për çka mbrojtja në ankesat e tyre kanë theksuar se gjykata e shkallës së parë, asnjëherë nuk ka vendosur lidhur me këtë propozim të Prokurorisë dhe asnjëherë nuk është administruar si provë deklarimi i tij i dhënë në fazat e hetimit dhe se i njëjti nuk është ftuar në cilësinë e dëshmitarit- të dëmtuarit në gjykatë.
“…Lidhur me të miturin E.T, prokuroria në fjalën hyrëse në procesverbalin e datës 12.03.2025, kishte propozuar që “meqënëse i lartcekuri ishte i mitur, në gjykatë të lexohet deklarata e tij”, përkundër faktit se në seancën e datës 31.07.2025, prokurori i shtetit ishte tërhequr nga propozimi paraprak që si provë të lexohet deklarata e E.T, mirëpo nuk ishte tërhequr nga propozimi sikurse në aktakuzë, që i njëjti të dëgjohet në shqyrtimin gjyqësor dhe gjykata asnjëherë nuk kishte nxjerr vendim lidhur me këtë dëshmitar”, thuhet në vendimin e Apelit.
Lidhur me këtë, sipas Apelit, shkalla e parë me qëllim të vërtetimit të saktë të fakteve vendimtare, është dashur që të veprojë konform dispozitave ligjore, ashtu sikurse është propozuar në aktakuzë nga Prokuroria apo të lexohet deklarata e tij.
Andaj, me qëllim të plotësimit të gjendjes faktike në mënyrë sa më të drejtë dhe të plotë në rigjykim, Apeli vlerëson se gjykata e shkallës së parë duhet ta thërras dhe të dëgjohet në cilësinë e dëshmitarit E.T., dhe atë në praninë e psikologut.
Sipas vendimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë në rigjykim duhet të ketë kujdes që gjatë punës të zbatojë në përpikëri dispozitën ligjore nga neni 384 të KPP-së, që t’i thërras të gjithë personat të cilët janë me rëndësi për të vërtetuar ekzistimin apo mosekzistimin e veprës penael, të kujdeset që përshkrimi faktik të jetë në harmoni me cilësimin juridik të veprës penale, të veprojë konform aktit akuzues të ngritur nga ana e Prokurorisë.
Sa i përket pretendimeve ankimore të mbrojtjes lidhur me ekspertizën psikiatrike dhe pretendimin se me refuzimin e propozimit për nxjerrjen e super-ekspertizës i janë shkelur të drejtat e mbrojtjes, Apeli ka vlerësuar se ekspertiza është e punuar në mënyrë profesionale nga personat adekuat të fushës, andaj këto pretendime janë të pabazuara.
Ndërsa, sa i përket pikës II dhe III (për armëmbajtje pa leje dhe mospërfillje të gjykatës) të dispozitivit të aktgjykimit të ankimuar, Apeli ka gjetur se nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e as shkelje të tjera të cilat detyrimisht do të kushtëzonin anulimin e tij.
Kjo për faktin se sipas Apelit, dispozitivi II dhe III i aktgjykimit janë të qartë, të kuptueshëm dhe konkret si dhe në përputhje të plotë me arsyetimin.
Kurse, lidhur me pretendimet e mbrojtjes për matjen e dënimit, Apeli ka konstatuar se se shkalla e parë drejt dhe në mënyrë të plotë ka vlerësuar rrethanat të cilat ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, andaj edhe pretendimet e mbrojtjes i ka vlerësuar si të pabazuara sepse nuk kanë dhënë asnjë argumentim se psë dënimet e shqiptuara janë të kundërligjshme sikurse kanë pretenduar në ankesat e tyre.
Vendimi i Apelit është marrë nga kolegji i përbërë nga Skender Çoçaj- kryetar i kolegjit, Valbona Musliu-Selimaj dhe Kadrije Goga-Lubishtani- anëtarë.
Ndryshe, në dispozitivin e parë të aktakuzës, thuhet se më 6 gusht 2024, rreth orës 7:33 minuta, i pandehuri Idriz Alija në rrugën e “Pejës”, afër semaforëve në fshatin Bresje të Fushë-Kosovës, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake dhe raportimit të dy rasteve tjera të dhunës në familje, me qëllim tenton ta privojë nga jeta anëtarin e familjes, të dëmtuarën Sh.T., me të cilën ka bashkëjetuar. Përderisa e dëmtuara ishte me djalin e saj E.T., duke ecur në rrugë, i ka përcjellë nga mbrapa.
Aty thuhet se posa të dëmtuarit kalojnë vendkalimin për këmbësorë, i pandehuri përshpejton hapat, e nxjerr armën nga brezi, me dy duart e repetit, vrapon pas tyre nga mbrapa, në mënyrë dinake nga afërsia shkrep me armë zjarri në trupin e të dëmtuarës, pastaj e godet me duar në fytyrë e cila rrëzohet në tokë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se pas këtij veprimi të të akuzuarit, djali i të dëmtuarës, i mitur E.T, tenton ta largojë nga ajo, derisa i pandehuri sërish shkrep disa herë mbi trupin e të dëmtuarës, e mandej e godet me forcë të madhe rreth tetë ose nëntë herë në kokë me kondak të armës së zjarrit, derisa dy qytetarë të rastit me forcë arrijnë t’ia largojnë armën e zjarrit, duke e hedhur atë në trotuar dhe e shtrijnë për toke, ku më pas të njëjtin policia e arreston.
Si pasojë e këtyre veprimeve të të pandehurit, thuhet se të dëmtuarës i shkaktohen tri plagë hyrëse-tejshkuese nga arma e zjarrit, ku si dëshmi posedon raportet mjekësore dhe e njëjta është hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, me ç’rast sipas ekspertizës mjeko-ligjore, ajo ka pësuar dëmtime të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën.
Me këtë, i pandehuri Alija ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë’ nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.5 lidhur me nenin 28, i Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në dispozitivin e dytë të saj, me datë, kohë dhe vend të përshkruar si në dispozitivin e parë, i pandehuri ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët një pistoletë të tipit “Cervena Zastava” M-57, me të cilën ka shkrepur në trupin e të dëmtuarës disa herë, 3 nga gëzhojat e së cilës armë janë gjetur në vendin e ngjarjes si dhe një predhë, kurse armën e ka marrë një person i cili largohet nga vend i ngjarjes, ndërkaq Policia pas veprimeve hetimore më pas e ka gjetur armën dhe ka identifikuar personin nga i cili sekuestrohet arma e zjarrit. Gjithashtu, edhe ndaj këtij personi u iniciua procedurë penale.
Me këtë, i pandehuri Idriz Alija akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtje në pronës, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal.
Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, i pandehuri Alija ngarkohet se nuk i është bindur aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega Fushë-Kosovë, Departamenti i Përgjithshëm, Divizioni Penal, përmes të cilit e kishte të ndaluar t’i afrohej të dëmtuarës-bashkëjetuese të tij, 20 metra në vende publike dhe 100 metra nga vendqëndrimi i tyre aktual.
Për këtë veprim, i pandehuri Alija akuzohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës” nga neni 393, paragrafi 1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.





