Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur një djalë 14-vjeçar ndjek një vajzë në një dyqan dhe e sulmon disa herë me thikë, pasi ajo kishte refuzuar të dilte në takim me të.
Ngjarja ndodhi më 15 mars të këtij viti, në një dyqan në Cirencester, Gloucestershire, transmeton Telegrafi.
Sipas asaj që u tha në gjykatë, adoleshenti kishte zhvilluar një fiksim ndaj vajzës, me të cilën ishte edhe bashkëmoshatar në shkollë, dhe e kishte ndjekur për disa muaj.
Pasi ajo kishte refuzuar afrimin e tij në dhjetor të vitit të kaluar, 14-vjeçari nisi të përdorte llogari të rreme në rrjetet sociale për t’i dërguar mesazhe.
Në pamjet e rënda, ai shihet duke iu afruar qetësisht vajzës brenda dyqanit dhe më pas duke e goditur disa herë me thikë.
Punonjësi i dyqanit ndërhyri menjëherë në përpjekje për ta larguar adoleshentin nga vajza, por edhe ai u godit me thikë në shpinë.
Në pamje të tjera, vajza shihet duke vrapuar nëpër dyqan, ndërsa 14-vjeçari e ndjek nga pas, ende i armatosur. Ajo arrin të largohet nga dyqani dhe kërkon ndihmë në një banesë aty pranë.
Vajza pësoi prerje në qafë, duar dhe fytyrë, si dhe mavijosje në shpinë. Në deklaratën e saj të lexuar në gjykatë, ajo tha se sulmi ka lënë pasoja të forta psikologjike.
“Jam e frikësuar dhe nervoze kudo që shkoj. Edhe kur dikush ngre dorën pranë meje, unë trembem, sepse nuk e di se çfarë do të bëjë”, tha ajo.
Adoleshentja tregoi se pas sulmit nuk doli nga shtëpia për disa ditë dhe se ende përjeton makthe, në të cilat e rijeton ngjarjen.
Ajo tha gjithashtu se tashmë ka vështirësi t’u besojë njerëzve dhe se familjarët e dërgojnë në punë, sepse nuk ndihet e sigurt duke lëvizur vetëm.
“Jam ende adoleshente dhe nuk duhet të ndihem kështu në zonën time”, tha vajza.
14-vjeçari, identiteti i të cilit nuk mund të publikohet për arsye ligjore, u paraqit të hënën në gjykatë dhe pranoi fajësinë për sulmin.
Ai u dënua me një urdhër referimi 12-mujor, si dhe me një urdhër ndalimi kontakti prej tre vitesh.
Në një seancë të mëparshme, ai ishte deklaruar fajtor për plagosje me qëllim, shkaktim të dëmtimeve të rënda trupore pa qëllim dhe mbajtje të një arme me teh në një vend publik.
Pas sulmit, adoleshenti u largua nga vendi i ngjarjes. Ai u ndalua më vonë nga policia e Gloucestershire, e cila gjatë kontrollit i gjeti thikën në xhepin e pantallonave dhe e arrestoi.
Drejtuesi i hetimeve për raste të rënda dhe komplekse, Ian Fletcher, e përshkroi ngjarjen si një sulm të furishëm që ndodhi në mes të ditës.
“Viktima u godit disa herë me thikë dhe ka qenë jashtëzakonisht me fat që shpëtoi vetëm me lëndime të lehta. Mund të kishim qenë shumë lehtë përballë një ngjarjeje fatale”, tha ai.
Fletcher shtoi se shpreson që vajza të mund të rikuperohet nga trauma dhe gradualisht të rifitojë jetën e saj normale. /Telegrafi/






