Pas vendimit të fundit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, këngëtarja Flaka Krelani ka reaguar nga New Yorku, duke publikuar një fotografi me flamurin e Kosovës.
Artistja, e cila prej kohësh është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka pozuar në Times Square e mbështjellë me flamurin e Kosovës dhe me plis në kokë.

Krahas fotografisë, Krelani ka përcjellë edhe një mesazh për Kosovën dhe historinë e saj.
“Larg Kosovës, por KURRË larg historisë së saj!”, ka shkruar ajo.
Në vazhdim, këngëtarja ka shtuar: “Me flamurin e lirisë mbi supe dhe me kujtesën e një populli që nuk harron”.
Reagimi i Flaka Krelanit vjen në një ditë kur vendimi i Gjykatës Speciale ka nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe në mesin e komunitetit shqiptar në diasporë.
Krelani, e cila jeton dhe vepron në SHBA, duket se i është bashkuar zërave të komunitetit shqiptar atje që kanë shprehur qëndrimet e tyre pas aktgjykimit të shpallur në Hagë.
Fotografia e publikuar nga Times Square ka tërhequr vëmendje në rrjetet sociale, ndërsa përmes saj artistja ka vënë në pah flamurin e Kosovës dhe simbolikën e plisit, duke e shoqëruar imazhin me një mesazh për ruajtjen e kujtesës historike. /Telegrafi/





