Haxhiu u bën thirrje deputetëve: Të përmbushet me sukses edhe procesi i zgjedhjes së Presidentit

Nacionale

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e ri qeveritar, pas votimit të Qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës. Haxhiu, përmes një postimi, ka thënë se përpara institucioneve të Kosovës janë shumë punë të përbashkëta, duke përfshirë reformat, zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit […]

Madhësia e shkronjave

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e ri qeveritar, pas votimit të Qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës.

Haxhiu, përmes një postimi, ka thënë se përpara institucioneve të Kosovës janë shumë punë të përbashkëta, duke përfshirë reformat, zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Uroj kryeministrin dhe të gjithë kabinetin e ri, duke u dëshiruar punë të mbarë dhe suksese në përgjegjësitë që kanë marrë”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se Kuvendi do ta kryejë pjesën e tij përmes agjendës legjislative dhe mbikëqyrjes parlamentare mbi punën e ekzekutivit.

“Me votimet e sotme, Republika e Kosovës tashmë i ka Kuvendin dhe Qeverinë. Mbetet edhe një hap i rëndësishëm për kompletimin e institucioneve e që është zgjedhja e Presidentit të Republikës”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka bërë thirrje që deputetët ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe që procesi i zgjedhjes së Presidentit të përmbyllet me sukses.

“Kosova ka nevojë për institucione të forta, funksionale dhe stabile dhe jo për pritje dhe vonesa të reja”, ka përfunduar Haxhiu./Telegrafi/