Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ka pritur Princin Naif bin Abdullah bin Saud bin Abdulaziz Al Saud, nga familja mbretërore saudite (dinastia Al Saud), së bashku me delegacionin e tij dhe investitorë potencialë ndërkombëtarë.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Rama ka vlerësuar vizitën si një mundësi për të krijuar lidhje të reja ndërkombëtare dhe për të promovuar potencialin e kryeqytetit për investime dhe zhvillim ekonomik.
Gjithashtu, Rama ka shprehur mirënjohje edhe për Arianit Shehun dhe Strategic Group për angazhimin dhe rolin e tyre në krijimin e kontakteve që, sipas tij, lidhin Prishtinën me mundësi të reja ndërkombëtare.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të të parit të kryeqytetit:
Në Odën e Kryeqytetit mirëprita Lartësinë e Tij Mbretërore, Princin Naif bin Abdullah bin Saud bin Abdulaziz Al Saud, së bashku me delegacionin e tij dhe investitorë potencialë ndërkombëtarë.
Mirënjohës Arianit Shehut dhe Strategic Group për angazhimin, vizionin dhe rolin e rëndësishëm në krijimin e urave që e lidhin Prishtinën me mundësi të reja ndërkombëtare.
Po e nxjerrim potencialin e saj përtej kufijve, po sjellim botën më afër Prishtinës dhe po ndërtojmë partneritete që idetë e mëdha t’i kthejnë në zhvillim real.






