Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit të substancave narkotike në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Gjatë hyrjes në Republikën e Kosovës, zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll fizik një autobus me udhëtarë dhe kanë kryer kontrolle të automjetit dhe bagazheve.

Gjatë intervistimit, njëri prej udhëtarëve, i pyetur nga zyrtarët doganorë nëse kishte ndonjë mall apo send për të deklaruar, nuk ka deklaruar asgjë.
“Megjithatë, gjatë kontrollit fizik të çantës së krahut të udhëtarit, zyrtarët doganorë kanë zbuluar një qese plastike që përmbante një substancë të dyshuar si narkotike. Pas peshimit, sasia e substancës së dyshuar ka rezultuar të jetë 2.162 kilogramë marihuanë.
Në kuadër të kontrollit të mëtejshëm, autobusi është kontrolluar edhe përmes skanerit, me ç’rast nuk janë evidentuar parregullsi të tjera”, thuhet në njoftim.
Për rastin është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa personi dhe substanca e dyshuar janë proceduar më tej tek organet kompetente për ndërmarrjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.
Dogana e Kosovës, në bashkëpunim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe trafikimit të substancave narkotike, si dhe në mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovë. /Telegrafi/




