Një sistem i ri ukrainas i mbrojtjes ajrore, i projektuar për të përdorur një gamë të gjerë raketash, është prezantuar në Poloni, duke tërhequr vëmendje në një nga ekspozitat më të mëdha të industrisë së mbrojtjes në Evropën Qendrore.
Sistemi “Shershen” (“Grerëza”), i zhvilluar nga një kompani pjesë e Asociacionit Kombëtar të Industrisë së Mbrojtjes së Ukrainës – NAUDI, u prezantua në ekspozitën ndërkombëtare MSPO 2026, në Kielce të Polonisë, transmeton Telegrafi.
Kompleksi është konceptuar si një sistem multikalibrash dhe me arkitekturë të hapur, çka i mundëson përdorimin e raketave të ndryshme ajër-ajër, përfshirë modele sovjetike, perëndimore dhe ukrainase.
Në konfigurimin e paraqitur në Poloni, sistemi përbëhet nga automjeti i komandimit “Perun”, radari “Athena” për zbulimin dhe gjurmimin e objektivave, si dhe deri në katër lëshues “Borei”.
Një nga veçoritë kryesore të “Shershen” është se nuk është i lidhur me një model të vetëm rakete. Sipas zhvilluesve, sistemi aktualisht mund të përdorë R-27, R-73, AIM-9 dhe AIM-132, ndërsa po shqyrtohet edhe përdorimi i R-60.
Kjo arkitekturë synon t’i japë Ukrainës më shumë fleksibilitet dhe të ulë varësinë nga një furnizues i vetëm, duke bërë të mundur integrimin e raketave që tashmë ndodhen në arsenale të ndryshme. Sistemi mund të integrojë gjithashtu radarë dhe burime të tjera zbulimi e drejtimi nga prodhues të ndryshëm.
Sipas specifikimeve të prezantuara nga zhvilluesit, “Shershen” është projektuar për të angazhuar avionë, raketa dhe dronë, me rreze veprimi deri në 25 kilometra dhe lartësi deri në 10 mijë metra.
Radari “Athena” mund të zbulojë objektiva në distanca deri në 85 kilometra, ndërsa sistemi mund të drejtojë njëkohësisht deri në gjashtë raketa drejt objektivave.
Në ekspozitën në Kielce, lëshuesi i “Shershen” u paraqit i armatosur me R-120K, një raketë ukrainase e pajisur me kokë kërkuese radari.
Raketa është konceptuar fillimisht si raketë ajër-ajër, por zhvilluesit synojnë që ajo të përdoret edhe nga sisteme tokësore të mbrojtjes ajrore. Aktualisht, projekti ndodhet ende në fazën e zhvillimit, përfshirë punën për motorin e raketës.
Sipas zhvilluesve, sistemi i ekspozuar në Poloni është prototipi i dytë operacional dhe tashmë i afrohet konfigurimit të prodhimit. Ai ka kaluar fazat fillestare të testimeve, përfshirë testime ku janë goditur objektiva në poligon.
Në të njëjtën ekspozitë, Byroja e Projektimit Luch prezantoi edhe raketën RK-19, të zhvilluar për sistemet e mbrojtjes ajrore Osa.
Për herë të parë u prezantua edhe RK-2PZ, një raketë tokë-ajër e zhvilluar mbi bazën e raketës antitank “Barrier”.
Prezantimi i “Shershen” dhe i raketave të reja tregon përpjekjen e industrisë ukrainase për të zhvilluar sisteme më fleksibile të mbrojtjes ajrore, të afta të kombinojnë armë të prodhimit vendas me raketa perëndimore dhe modele ekzistuese nga arsenalet e epokës sovjetike. /Telegrafi/






