Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë-Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka njoftuar se dy zyrtarë të Ambasadës së Serbisë në Sarajevë janë shpallur persona të padëshiruar dhe duhet ta lënë territorin e Bosnjë-Hercegovinës brenda 48 orësh.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, të dytën brenda dy ditësh, Konakoviq tha se vendimi është marrë në përputhje me rregulloren për shpalljen e personave të padëshiruar.
Bëhet fjalë për Milan Dulanoviqin, atashe ushtarak në Ambasadën e Serbisë, dhe Darko Maksimoviqin, këshilltar të përfaqësuesit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë, BIA, në këtë ambasadë.
“Këta dy persona kanë afat prej 48 orësh për ta lënë Bosnjë-Hercegovinën”, deklaroi Konakoviq, duke bërë të ditur se kartat e tyre diplomatike do të anulohen.
“Janë dëbuar nga Bosnjë-Hercegovina në përputhje me kompetencat që kemi dhe u bëjmë thirrje që t’i respektojnë rreptësisht rregullat e shtetit tonë”, tha ai.
Konakoviq ka paralajmëruar se autoritetet boshnjake po shqyrtojnë edhe rishikimin e numrit të diplomatëve dhe pjesëtarëve të stafit në Ambasadën e Serbisë në Sarajevë.
Ai tha se një nga zhvillimet që ka ndikuar në qëndrimin e autoriteteve të Bosnjë-Hercegovinës është edhe fotografia me mbishkrimin “Pravac Potočari”, në kontekstin e zhvillimeve të fundit në Serbi.
“Është më mirë që njerëzit tanë të mos ndalen në një Beograd të tillë, në një Serbi të tillë dhe te një Vuçiq i tillë. Po e zvogëlojmë numrin e njerëzve tanë në ambasadë atje”, deklaroi Konakoviq.
Ministri boshnjak drejtoi kritika të ashpra edhe ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke e akuzuar atë se është organizator i zhvillimeve të fundit në Serbi, përfshirë mesazhet kontroverse të shfaqura gjatë ndeshjes ndërmjet Crvena Zvezdës dhe Partizanit.
Duke folur për qëndrimin e Bashkimit Evropian, Konakoviq tha se e vlerëson faktin që BE-ja e ka korrigjuar deklaratën e parë, por shtoi se edhe reagimi i dytë, sipas tij, nuk është mjaftueshëm i qartë.
Në të njëjtën konferencë, ai njoftoi se Bosnjë-Hercegovina ka tërhequr pëlqimin për nënshkrimin e një deklarate të përbashkët për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal.
Sipas Konakoviqit, deklarata ishte planifikuar të nënshkruhej në Mal të Zi më 1 tetor.
“Ne e kemi tërhequr pëlqimin. Deklarata të tilla nuk do t’i nënshkruajmë përderisa kemi një Serbi të tillë të viteve ’90, të cilën po e shohim këto ditë”, tha ai.
Vendimet dhe deklaratat e Konakoviqit sinjalizojnë një përkeqësim të mëtejshëm të raporteve ndërmjet Sarajevës dhe Beogradit, pas një serie tensionesh politike dhe mesazhesh që autoritetet boshnjake i kanë cilësuar si të papranueshme./Telegrafi/






