I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, ka thënë gjatë një vizite në Shqipëri se projekti për një shtet bektashi në Tiranë është “i shkëlqyer”, por se i takon popullit shqiptar të vendosë për të.
Projekti për krijimin e një shteti për Urdhrin Bektashi në Tiranë ishte paralajmëruar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dy vjet më parë.
Zampolli vizitoi Shqipërinë të hënën dhe tha se në takimet e tij me krerë fetarë dhe përfaqësues të politikës, ishin “shumë joformale”.
Ndalesa e parë e tij ishte në Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, ku mori pjesë në një konferencë për 35-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës.

Ai u pyet nga gazetarët në lidhje me qëndrimin e tij për projektin e shtetit bektashi dhe nëse ishte kjo temë, pjesë e agjendës së tij.
“Mendoj se është një projekt i shkëlqyer. E kam dëgjuar kryeministrin të flasë, dëgjova shenjtërinë e tij [kreun e bektashinjve] dhe njerëzit tuaj vendosin ose do të vendosin. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar respekton vendimin e popullit shqiptar”, tha Zampolli.
Ai vizitoi edhe spitalin që ndodhet brenda kompleksit të Kryegjyshatës dhe është në pronësi të saj. Përfaqësues të Kryegjyshatës thanë për REL-in se pak kohë më parë është firmosur një memorandum mirëkuptimi mes spitalit dhe kompanisë amerikane të bioteknologjisë “ImmunityBio”, që synon bashkëpunimin në fushën e trajtimeve të avancuara kundër kancerit.
“ImmunityBio” është një kompani amerikane bioteknologjike, e themeluar në vitin 2014, që zhvillon imunoterapi dhe terapi qelizore, me fokus kryesor trajtimin e kancerit dhe sëmundjeve infektive. Këto teknika ende nuk kanë nisur të zbatohen në Shqipëri.
Pasi vizitoi spitalin, Zampolli tha për mediat se ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm.
“Presidenti Trump është natyrisht një president i paqes, ne e dimë që ai ka sjelle paqe. Ai është gjithashtu një president që e kupton të ardhmen. Që nga dita e parë, ka pasur shumë programe lidhur me mjekësinë e re dhe të drejtën për të provuar trajtime të reja”, tha Zampolli.
Ai u takua në Tiranë edhe me ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxha, si dhe me krerët e grupeve parlamentare të Partisë Socialiste në pushtet dhe të Partisë Demokratike në opozitë.
Zampolli tha se diskutoi për rëndësinë e miqësisë mes dy vendeve dhe se Shqipëria është aleate e shkëlqyer.
“Presidenti Trump e do Shqipërinë, Marco Rubio e do Shqipërinë, ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj. Sapo kemi emëruar një ambasador, por ende nuk e kemi në detyrë. Dhe është një ambasador i shkëlqyer, i cili do t’i shërbejë administratës Trump dhe parimit ‘Amerika e Para’. Ne kemi nevojë për miq në rajon dhe na pëlqejnë miqësitë afatgjata” tha Zampolli.
Zampolli është biznesmen italian-amerikan dhe ish-agjent modelesh, i njohur për marrëdhënien e tij të gjatë me Trumpin. Ai ka pasur gjithashtu angazhime në diplomaci dhe në Kombet e Bashkuara. Në mars 2025, Trump e emëroi të dërguar të posaçëm për Partneritetet Globale, cilësi në të cilën vizitoi Tiranën më 7 shtator.
Shteti bektashi dhe të panjohurat rreth tij
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi për herë të parë projektin për krijimin e një shteti bektashi më 21 shtator të vitit 2024, në një intervistë për gazetën amerikane Neë York Times.
Një ditë më pas, ai e bëri publik edhe nga tribuna e Kombeve të Bashkuara, duke thënë se Shqipëria mbështeste transformimin e Qendrës Botërore të Urdhrit Bektashi në “një Shtet Sovran brenda Tiranës”, si “një qendër të re të moderimit, tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore”.
Kjo çështje u rikthye në vëmendje të publikut në Shqipëri pasi Intelligence Online, një media franceze e specializuar në inteligjencë, diplomaci, siguri, gjeopolitikë dhe rrjete politike/ekonomike, raportoi në gusht se Kryegjyshata Botërore Bektashiane po përgatit strukturat për statusin e ardhshëm të mikro-shtetit.
Sipas saj, këto struktura përfshijnë përfaqësi jashtë vendit, pasaporta dhe një monedhë të mundshme të quajtur “bek”, ndërsa formalizimi nga autoritetet shqiptare, sipas medias franceze, pritej në muajt në vijim.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Agjencisë për Media dhe Informim pranë Qeverisë për të sqaruar nëse po përgatitet ndonjë projektligj, apo akt juridik për zbatimin e idesë për krijimin e shtetit bektashi.
Agjencia tha se nuk ka ende asgjë konkrete dhe se Qeveria do të punojë për një dokument serioz, i cili do të konsultohet gjerësisht.
“Të jemi të qartë, bëhet fjalë për një juridiksion të posaçëm, brenda perimetrit aktual të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, jo për ndonjë shtet paralel brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Rendi, siguria, mbrojtja e territorit apo një sërë elementësh të tjerë të arkitekturës shtetërore të Republikës së Shqipërisë, do të mbeten përgjegjësi të Republikës së Shqipërisë dhe karakterin unitar i Republikës mbetet i pacenuar dhe i pacenueshëm”, tha Agjencisë për Media dhe Informim për REL-in.
Sipas saj, ideja për krijimin e entitetit bektashi synon mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë shpirtërore e kulturore shqiptare.
Opozita, përmes kryetarit të PD-së Sali Berisha, vijon ta kundërshtojë krijimin e shtetit sovran bektashi, duke e cilësuar nismën antikushtetuese dhe në kundërshtim me karakterin laik të Shqipërisë.
Sipas Intelligence Online, Kryegjyshata Botërore Bektashiane po ndërton një rrjet përfaqësimi jashtë vendit, nën drejtimin e Kreshnik Grezdës, të cilin e identifikon si ambasador të përgjithshëm. Për SHBA-në është caktuar Christopher Hyland, ndërsa Hazis Vardar raportohet si përfaqësues për Francën dhe Belgjikën. Vardari, sipërmarrës belg me origjinë shqiptare, është gjithashtu bashkëthemelues dhe administrator i DataSentinel Balkans, kompani e fokusuar në inteligjencën me burim të hapur (OSINT).
Kryegjyshata Botërore Bektashiane nuk iu përgjigj kërkesës për informacion drejtuar nga REL, në lidhje me këto “emërime” që raporton Intelligence Online.
Ndërsa zyra për mediat pranë Kryegjyshatës tha për Radio Evropa e Lirë se nuk mund të komentonte “shkrime të pabaza”.
As Grezda nuk iu përgjigj interesit të REL duke thënë se nuk dëshiron të flasë në këtë moment.
Ndërkaq sipas biografisë së publikuar në faqen e tij personale, Christopher Hyland thotë se është emëruar i dërguar i posaçëm për Amerikën e Veriut nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane. Në të njëjtën biografi, ai e përshkruan projektin si “Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi” dhe thotë se ky projekt përputhet me interesa më të gjera të politikës së jashtme amerikane.
Besimtarët bektashi si në Shqipëri edhe në Kosovë kanë thënë se e mirëpresin këtë nismë edhe pse nuk ka informacion të mjaftueshëm.
Sipas Urdhrit Bektashi bëhet fjalë për një sovranitet të ngjashëm me Vatikanin – një qytet-shtet në Itali, ku është selia e Kishës Katolike Romake.
Kryegjyshata ka thënë se kjo lëvizje do t’i mundësonte Urdhrit Bektashi ta forconte rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm në botë. Sipas Komunitetit Mysliman Shqiptar kjo nismë “mund të jetë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen e vendit”./Evropa e Lirë/





