Kimi Antonelli triumfon në Çmimin e Madh të Italisë pas një rikthimi spektakolar nga vendi i 19-të

Sport

Kimi Antonelli ka shkruar historinë në Çmimin e Madh të Italisë, duke realizuar një nga triumfet më spektakolare në historinë e gjatë të kësaj gare. Piloti 20-vjeçar i Mercedesit, i cili është nga Emilia-Romagna, u nis nga vendi i 19-të në start, por zhvilloi një garë të jashtëzakonshme për të marrë fitoren e shtatë të […]

Madhësia e shkronjave

Kimi Antonelli ka shkruar historinë në Çmimin e Madh të Italisë, duke realizuar një nga triumfet më spektakolare në historinë e gjatë të kësaj gare.

Piloti 20-vjeçar i Mercedesit, i cili është nga Emilia-Romagna, u nis nga vendi i 19-të në start, por zhvilloi një garë të jashtëzakonshme për të marrë fitoren e shtatë të sezonit dhe për të zgjeruar epërsinë e tij në luftën për titullin e kampionit.

Antonelli u bë piloti i parë italian që fiton Çmimin e Madh të Italisë pas 60 vitesh. I fundit që kishte arritur këtë sukses ishte Ludovico Scarfiotti në vitin 1966.

Me këtë fitore, Antonelli vazhdon ëndrrën për t’u bërë italiani i parë kampion bote në Formula 1 që nga Alberto Ascari, i cili e fitoi titullin me Ferrarin në vitin 1953.

Gara në Monza ishte spektakolare, me shumë parakalime dhe ndryshime të vazhdueshme të pozitave. Antonelli e kaloi vijën e finishit 3.857 sekonda përpara shokut të skuadrës dhe rivalit për titull, George Russell.

Russell tashmë është 66 pikë prapa Antonellit në klasifikimin e kampionatit, ndërsa vendin e tretë në podium e zuri katër herë kampioni i botës, Max Verstappen, me Red Bullin.

Për tifozët italianë, triumfi i Antonellit ishte një ngushëllim pas një gare zhgënjyese për Ferrarin. Charles Leclerc u përplas dhe u detyrua të tërhiqej që në xhiron e dytë, ndërsa shtatë herë kampioni i botës, Lewis Hamilton, e përfundoi garën në vendin e gjashtë.

Hamilton u rendit pas dy makinave McLaren, me kampionin në fuqi Lando Norris dhe Oscar Piastri që siguruan pozitat përkatëse përpara tij.

Antonelli ishte nisur nga fundi i renditjes pasi kishte marrë penalizime për ndryshime në njësinë e fuqisë së makinës, por italiani shfaqi një ritëm të jashtëzakonshëm gjatë gjithë garës.

Ai përfitoi edhe nga ndërprerja e hershme e garës me flamur të kuq, përpara se të niste një rikthim spektakolar dhe të kalonte njëri pas tjetrit rivalët deri te lufta për fitoren.

Në fund, Antonelli arriti të mposhtë edhe Russellin dhe të sigurojë një triumf historik para tifozëve të tij.

“I pabesueshëm! Jam shumë i lumtur. Nuk do ta kisha imagjinuar kurrë se do të isha këtu sot, por ia dolëm”, tha një Antonelli i emocionuar pas garës”.

“Pas rifillimit të dytë të garës, e kuptova se isha në një pozitë të mirë dhe se mund të luftoja për fitoren. Besova te kjo, sidomos kur isha pas George, por ishte vërtet e vështirë të shkëputesha për shkak të avantazhit të madh që të jep makina kur je pas një rivali”./Telegrafi/