Prezantuesja televizive mes 12 personave të dënuar me vdekje në Egjipt

Bota

Prezantuesja egjiptiane e televizionit Sarah Khalifa dhe 11 persona të tjerë janë dënuar me vdekje me varje, pasi u shpallën fajtorë për trafik droge dhe akuza të tjera penale. Sipas gazetës shtetërore Al-Ahram, grupi ishte pjesë e një organizate kriminale që dyshohet se importonte lëndë të para për prodhimin e narkotikëve, me qëllim shitjen e […]

Madhësia e shkronjave

Prezantuesja egjiptiane e televizionit Sarah Khalifa dhe 11 persona të tjerë janë dënuar me vdekje me varje, pasi u shpallën fajtorë për trafik droge dhe akuza të tjera penale.

Sipas gazetës shtetërore Al-Ahram, grupi ishte pjesë e një organizate kriminale që dyshohet se importonte lëndë të para për prodhimin e narkotikëve, me qëllim shitjen e tyre. Autoritetet kanë sekuestruar gjithashtu armë dhe municione të paligjshme.

Khalifa, 39 vjeçe, është e njohur për programin televiziv “Mission Impossible”, i cili trajtonte çështje kriminale. Ajo i ka mohuar akuzat dhe avokati i saj ka bërë të ditur se do të apelojë vendimin.

Në këtë proces gjyqësor, nëntë të pandehur të tjerë u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa shtatë persona u shpallën të pafajshëm, transmeton Telegrafi.

Vendimi ishte shpallur fillimisht muajin e kaluar, por u bë përfundimtar vetëm pas marrjes së opinionit fetar nga myftiu i madh i Egjiptit, një procedurë e kërkuar me ligj në rastet kur gjykata jep dënim me vdekje.

Gjatë procesit, prokuroria paraqiti prova se autoritetet kishin sekuestruar më shumë se 750 kilogramë lëndë narkotike, së bashku me materiale të importuara që dyshohet se do të përdoreshin për prodhimin e tyre.

Në çështje u dëgjuan deklaratat e 20 dëshmitarëve, ndërsa prokuroria paraqiti edhe prova elektronike, përfshirë biseda dhe video.

Khalifa ka mohuar përfshirjen në aktivitetet kriminale. Gjatë një seance vitin e kaluar, kur u pyet nga gjyqtari për rolin e saj të pretenduar, ajo deklaroi se nuk kishte parë kurrë drogë deri në momentin kur ishte fotografuar pranë saj në ambientet e autoritetit kundër narkotikëve.

Rasti ka rikthyer në vëmendje përdorimin e dënimit me vdekje në Egjipt. Sipas Amnesty International, gjatë vitit 2025 në vend u dhanë 492 dënime me vdekje, ndërsa 23 prej tyre u ekzekutuan.

Organizata ka kritikuar gjithashtu përdorimin e dënimit kapital për vepra që, sipas standardeve ndërkombëtare, nuk lidhen drejtpërdrejt me vrasje të qëllimshme. /Telegrafi/