Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e sotme në 5 shtator në Himarë, në zonën e prekur nga zjarri gjatë natës së kaluar, ku pa nga afër situatën dhe angazhimin në terren.
Kryeministri takoi dhe falënderoi efektivët e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, shërbimeve zjarrfikëse dhe të gjitha strukturave të angazhuara në përballimin e situatës dhe mbrojtjen e jetës së banorëve dhe pronës.
Kujtojmë se gjatë mbrëmjes së djeshme një zjarr i madh ra në kodrat e Himarës, duke shkaktuar jo pak panik në mesin e banorëve, por edhe të turistëve.
Situata u paraqit kritike dhe autoritetet kërkuan që banorët të lënë banesat, nëse shohin se jeta e tyre është në rrezik.
Ishte vetë kryebashkiaku Vangjel Tavo, që e bëri këtë thirrje e publikoi edhe numrat e kontaktit, ku qytetarët të mund të kërkonin ndihmë emergjente.
Pavarësisht ndërhyrjeve të autoriteve dhe punës së pandërprerë gjatë gjithë natës, gjashtë banesa u shkrumbuan tërësisht, ndërsa për fat të mirë, nuk pati jetë të humbura apo të lënduar.
Autoritetet kanë premtuar gjatë ditës së sotme, se banorët në Himarë, por edhe ata në Fier apo në zona të prekura nga flakët, do të dëmshpërblehen.






