Karim Benzema ishte shumë pranë rikthimit te Olympique Lyon gjatë kësaj vere, bëjnë të ditur raportimet e “L’Equipe”.
Sulmuesi francez, tashmë 38-vjeçar, ishte i gatshëm të bënte një sakrificë të madhe financiare për t’u rikthyer te klubi ku u rrit dhe hodhi hapat e parë në futboll.
Sipas raportimeve, drejtuesit e Lyonit kontaktuan Benzeman, i cili e priti me entuziazëm mundësinë për t’u rikthyer në klubin e fëmijërisë. Madje, francezi ishte i gatshëm të luante për Lyonin pa marrë pagë.
Megjithatë, rikthimi nuk u realizua për shkak të situatës së tij kontraktuale. Në atë kohë, Benzema ishte ende nën kontratë me Al-Hilal, duke e bërë të pamundur përfundimin e transferimit.
Një tjetër faktor që e komplikoi marrëveshjen ishte roli i Benzemas si ambasador i ligës saudite, një angazhim që është i vlefshëm deri në vitin 2030.
Pavarësisht se rikthimi nuk u realizua, lidhja e Benzemas me Lyonin mbetet shumë e fortë. Ai u rrit në akademinë e klubit dhe me ekipin e parë fitoi katër tituj të Ligue 1, përpara se në vitin 2009 të transferohej te Real Madridi.
Te gjiganti spanjoll, Benzema ndërtoi pjesën më të madhe të karrierës së tij dhe u shndërrua në një prej sulmuesve më të mëdhenj të historisë së klubit.
Tashmë, rikthimi i tij te Lyon ishte shumë pranë realizimit, por kontrata me Al-Hilal dhe angazhimet e tij në Arabinë Saudite e penguan një ribashkim që do të kishte qenë një prej historive më të mëdha të kësaj vere në futbollin francez. /Telegrafi/






