Meloni i përgjigjet Ramës: Arrin të ndërthurësh ironinë me të vërteta

Bota

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka uruar homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, për arritjen e një rekordi historik në politikën italiane, duke u bërë kryeministrja me mandatin më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane. Në mesazhin e tij, Rama nuk i ka kursyer batutat dhe ironinë, duke iu referuar politikës italiane, ndryshimeve të shpeshta në […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka uruar homologen e tij italiane, Giorgia Meloni, për arritjen e një rekordi historik në politikën italiane, duke u bërë kryeministrja me mandatin më jetëgjatë në historinë e Republikës Italiane.

Në mesazhin e tij, Rama nuk i ka kursyer batutat dhe ironinë, duke iu referuar politikës italiane, ndryshimeve të shpeshta në qeverisje dhe rolit të grave në pushtet. Ai i ka përcjellë Melonit urimet për rekordin, ndërsa me humor i ka thënë se tashmë asaj i ka mbetur vetëm një rekord për t’u thyer – ai i tij.

Meloni i është përgjigjur Ramës me një mesazh po në të njëjtën frymë, duke e falënderuar për urimin dhe duke vlerësuar mënyrën se si ai ndërthur ironinë me ato që ajo i cilëson si “disa të vërteta jo fort të rehatshme”.

“Edi, miku im, faleminderit nga zemra për këtë videomesazh. Si gjithmonë, arrin të ndërthurësh ironinë me disa të vërteta jo fort të rehatshme!”, shkruan Meloni.

Kryeministrja italiane iu referua gjithashtu ndryshimeve të shpeshta të qeverive dhe kryeministrave në Itali, duke i thënë Ramës se pas shumë ndryshimeve të bashkëbiseduesve në Romë, më në fund ai ka pasur mundësinë të krijojë më shumë afeksion për “atë aktualin”.

“Ndërrimi i shpeshtë i stolit nuk ndihmon kurrë për të ndërtuar diçka solide. Por në fund, kur gjen ekipin e duhur, është më e lehtë të luash mirë dhe të marrësh rezultate”, vijon Meloni, duke përdorur një metaforë nga futbolli.

Ajo theksoi se gjatë viteve të fundit mes dy vendeve është ndërtuar një marrëdhënie e sinqertë dhe një bashkëpunim konkret, që sipas saj ka forcuar lidhjet mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Shqipëria është një mike dhe një partnere e çmuar, dhe jam krenare për rrugëtimin që po bëjmë së bashku edhe në kuadër të Evropës”, u shpreh Meloni.

Në fund të mesazhit, kryeministrja italiane i përcolli Ramës një përshëndetje të përzemërt, duke lënë të hapur edhe një takim të afërt mes tyre: “Një përqafim të përzemërt dhe shihemi së shpejti!”. /Telegrafi/