Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se një pronë publike me vlerë të jashtëzakonshme për Universitetin e Prishtinës është mbrojtur nga rreziku i tjetërsimit.
UP thekson se Gjykata Themelore në Prishtinë, me kërkesë të Prokurorisë, ka vendosur masë sigurie mbi 68 ari në zonën e fakulteteve teknike.
“Që nga fillimi i mandatit, rektori Arben Hajrullahu ka qenë i vendosur për mbrojtjen e pronës universitare, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar çdo përpjekje për tjetërsimin e saj në dëm të interesit publik”, thuhet në njoftim.
Tutje, në njoftim thuhet se më 24 gusht 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka vendosur masë sigurie mbi një ngastër kadastrale prej 68 ari, në zonën e fakulteteve teknike, pronë komunale në shfrytëzim të përhershëm të Universitetit të Prishtinës.

“Vendimi i gjykatës vendos një pengesë të qartë ndaj çdo veprimi që do të mund të çonte në shitjen, bartjen, dhurimin, ngarkimin me barrë, dhënien në shfrytëzim, ndryshimin e gjendjes faktike ose tjetërsimin në çfarëdo forme tjetër të kësaj prone.
Për Universitetin e Prishtinës, ky është një zhvillim me rëndësi të jashtëzakonshme. Për vite me radhë, mbi këtë pronë janë ngritur pretendime nga persona privatë. Për më tepër, ndaj Universitetit janë paraqitur kërkesa financiare në vlera milionëshe për pagesën e qirasë për një hapësirë që Universiteti e ka shfrytëzuar në mënyrë legjitime për ushtrimin e veprimtarisë së tij akademike dhe institucionale. Vendosja e masës së sigurisë mbron pronën nga rreziku i tjetërsimit gjatë zhvillimit të procedurave dhe njëkohësisht mbron Universitetin dhe interesin publik nga pasoja të mundshme financiare që do të mund të rëndonin drejtpërdrejt mbi buxhetin publik”, thuhet tutje.
Sipas UP-së pretendimet për pronësinë mbi këtë ngastër lidhen me një aktgjykim të pretenduar të ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë, të datës 27 maj 1998, mbi bazën e të cilit ishte pretenduar kalimi i pronës komunale në pronësi private dhe më pas, bartja e saj te persona të tjerë.
“Çështja ishte trajtuar edhe nga Komisioni Parlamentar i Kuvendit të Kosovës për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Në raportin e datës 14 maj 2024, Komisioni kishte evidentuar probleme dhe dyshime serioze lidhur me dokumentacionin dhe historikun e kësaj prone dhe kishte kërkuar që rasti të trajtohej nga organet kompetente të drejtësisë.
Universiteti i Prishtinës shpreh mirënjohjen e tij për punën e ish-Komisionit Parlamentar dhe për faktin që kjo çështje është ngritur dhe adresuar institucionalisht. Në mënyrë të veçantë, UP-ja falënderon ish-deputeten Fitore Pacolli dhe z. Milazim Salijaj për angazhimin e tyre në trajtimin e këtij rasti dhe për kontributin në nxjerrjen në pah të çështjeve që kërkonin hetim dhe trajtim nga institucionet kompetente. Mirënjohje të veçantë Universiteti i shpreh edhe sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, institucioneve të hetuesisë dhe të gjithë zyrtarëve që, në kuadër të përgjegjësive të tyre ligjore, kanë kontribuar në trajtimin e këtij rasti”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Më tej, UP thekson se ka ndërmarrë hapa konkretë edhe për rikthimin në funksion të hapësirave të tjera universitare.
“Studentët dhe personeli akademik i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë pritet të fillojnë vitin akademik në objektin e ri, i cili për më shumë se dhjetë vjet nuk ishte shfrytëzuar për shkak të afërsisë me infrastrukturën e tensionit të lartë dhe depo të tjera teknike. Këto pengesa tashmë janë larguar.
Universiteti i Prishtinës u bën thirrje të gjithë personave fizikë dhe juridikë që mbajnë, shfrytëzojnë apo pretendojnë, pa bazë të qartë juridike, hapësira dhe prona të Universitetit që, deri më 30 tetor 2026, t’i lirojnë dhe t’ia kthejnë ato Universitetit.
Njëkohësisht, UP-ja fton të gjithë zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarët, si dhe qytetarët që posedojnë informacione, dokumente ose të dhëna për tjetërsim, uzurpim, keqpërdorim apo veprime të tjera të dyshimta që lidhen me pronat dhe interesat e Universitetit, që këto informacione t’ia përcjellin Universitetit ose drejtpërdrejt organeve kompetente.
Universiteti i Prishtinës nuk do të ndalet në mbrojtjen e pronës së tij. Çdo rast për të cilin ekzistojnë indicie për shkelje do të dokumentohet dhe do të procedohet pranë institucioneve kompetente. Sepse pronat universitare nuk janë pasuri private e askujt. Standardi që Universiteti i Prishtinës ka vendosur është i qartë: ligjshmëri, transparencë, përgjegjësi dhe mbrojtje e pakompromis e interesit publik”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/





