Pamje të publikuara së fundmi tregojnë momentin dramatik të aksidentit automobilistik ku u përfshi presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, pranë Lubjanës, duke zbuluar më qartë se si ndodhi përplasja.
Aksidenti ndodhi më 31 korrik, kur automjeti zyrtar Mercedes-Benz V300 me të cilin udhëtonte presidentja u përplas me një automjet të eskortës së sigurisë gjatë lëvizjes në afërsi të kryeqytetit slloven.
Si pasojë e përplasjes, Pirc Musar pësoi frakturë të klavikulës (kockës së shpatullës) dhe mori trajtim mjekësor, ndërsa gjendja e saj u cilësua jashtë rrezikut për jetën, transmeton Telegrafi.
Në automjet ndodheshin edhe dy miq të presidentes. Njëri prej tyre u lëndua më rëndë dhe u transportua menjëherë në spital, ndërsa personi tjetër pësoi lëndime më të lehta.
Pamjet e publikuara tregojnë momentin e përplasjes dhe reagimin e menjëhershëm të pjesëtarëve të eskortës dhe ekipeve të emergjencës, të cilët mbërritën në vendngjarje për t’u dhënë ndihmën të lënduarve.
Autoritetet sllovene kanë nisur një hetim për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë, ndërsa presidentja Pirc Musar është rikthyer gradualisht në aktivitetet e saj zyrtare pas periudhës së rikuperimit.






