Rekord botëror në Çikago: 1,969 persona pijnë njëkohësisht Malört

Life/Bizare

Një bar në Çikago ka hyrë në librat e rekordeve Guinness pasi mblodhi 1,969 persona që ngritën gotat dhe konsumuan në të njëjtën kohë një nga pijet më të famshme – dhe më të urryera – të qytetit. Ngjarja u zhvillua të dielën në barin Recess, në lagjen West Loop të Çikagos, ku qindra persona […]

Madhësia e shkronjave

Një bar në Çikago ka hyrë në librat e rekordeve Guinness pasi mblodhi 1,969 persona që ngritën gotat dhe konsumuan në të njëjtën kohë një nga pijet më të famshme – dhe më të urryera – të qytetit.

Ngjarja u zhvillua të dielën në barin Recess, në lagjen West Loop të Çikagos, ku qindra persona u bënë pjesë e asaj që organizatorët e quajtën një “vendim të keq për një kauzë të mirë”.

Të 1,969 pjesëmarrësit konsumuan njëkohësisht nga një gotë me Jeppson’s Malört, pijen ikonike të Çikagos, duke vendosur kështu një rekord të ri Guinness.

Në mesin e pjesëmarrësve ishte edhe guvernatori i Illinoisit, J.B. Pritzker, i cili madje u fut pas banakut për të shërbyer gota për të pranishmit, transmeton Telegrafi.

Por rekordi nuk ishte vetëm për argëtim. Organizatorët mblodhën fonde për Ravenswood Community Services, duke e kthyer këtë sfidë të pazakontë në një aktivitet bamirësie.

Malört është prodhuar në zonën e Çikagos që nga vitet 1930 dhe është një pije suedeze me bazë pelini, e njohur për shijen e saj jashtëzakonisht të hidhur.

Pija është bërë aq famëkeqe sa shumë banorë të Çikagos e përdorin si një lloj “prove” për vizitorët që vijnë nga qytete të tjera. Dhe reagimet ndaj shijes së saj janë shpesh brutale.

Një prej pjesëmarrësve e përshkroi shijen për Block Club Chicago si “një përzierje të të vjellave dhe djersës”.

Në event ishte edhe Susana Mendoza, kontrolluese e qytetit dhe kandidate për kryetare të Çikagos. Ajo tha se një pjesë e tërheqjes së Malört qëndron pikërisht te “vuajtja e përbashkët që na bashkon”.

Kështu, një pije që për shumë njerëz është simbol i shijes së tmerrshme, në Çikago u shndërrua në një mënyrë për të bashkuar mijëra njerëz – dhe për të vendosur një rekord të ri botëror. /Telegrafi/