Liverpooli provoi të sigurojë shërbimet e mbrojtësit të krahut të djathtë të Chelseat, Malo Gusto, gjatë ditës së fundit të afatit kalimtar veror, por negociatat mes dy klubeve nuk përfunduan me marrëveshje.
Pas mbylljes së afatit kalimtar, kanë nisur të dalin në pah disa nga transferimet që ishin pranë realizimit, por që në fund dështuan.
Një prej tyre ishte tentativa e Liverpoolit për të transferuar francezin Malo Gusto.

Sipas gazetarit Fabrice Hawkins, Liverpooli kontaktoi Chelsean gjatë ditës së fundit të afatit kalimtar për të diskutuar mundësinë e transferimit të mbrojtësit 23-vjeçar.
Megjithatë, “Reds” kërkuan që Gusto të bashkohej në formë huazimi, pa një detyrim për blerje në fund të sezonit. Kjo formulë nuk u pranua nga Chelsea.
Klubi londinez ishte i hapur për largimin e Gustos, por vetëm nëse bëhej fjalë për një transferim të përhershëm.
Liverpooli, i cili kishte shpenzuar shuma të konsiderueshme gjatë ditëve të mëparshme të afatit kalimtar dhe nuk kishte më fonde të mjaftueshme për një tjetër investim të madh, u detyrua të tërhiqej nga negociatat.
Kështu, Gusto mbeti në “Stamford Bridge” dhe pritet të vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës së Chelseat.
Mbrojtësi francez ka nisur sezonin si titullar dhe është aktivizuar nga minuta e parë në të dyja ndeshjet e Ligës Premier të zhvilluara deri më tani.
Ndërsa Gusto ka kontratë me Chelsean deri në vitin 2030. /Telegrafi/





