Gjermania dhe Franca mbështesin planin për heqjen e vetos për çështjet e politikës së jashtme në BE

Bota

Gjermania dhe Franca, së bashku me nëntë shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, kanë mbështetur një plan që synon ta bëjë më efikas procesin e vendimmarrjes në BE për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë, thuhet në një letër të siguruar nga Politico. Në letrën drejtuar përfaqësueses së lartë të BE-së për […]

Madhësia e shkronjave

Gjermania dhe Franca, së bashku me nëntë shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, kanë mbështetur një plan që synon ta bëjë më efikas procesin e vendimmarrjes në BE për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë, thuhet në një letër të siguruar nga Politico.

Në letrën drejtuar përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, të cilën e kanë nënshkruar 11 shtete anëtare, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, propozohen pesë mënyra për përshpejtimin dhe rritjen e efikasitetit të vendimmarrjes në kuadër të Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP). Ndër to përfshihet edhe përdorimi më i gjerë i votimit me shumicë të cilësuar.

Sipas rregullave të BE-së, vendimet që lidhen me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë duhet të miratohen unanimisht nga të 27 shtetet anëtare. Ky rregull ka shkaktuar bllokime të mëdha, veçanërisht kur ish-kryeministri hungarez Viktor Orban përdorte të drejtën e vetos për të penguar vendime të mbështetura nga 26 kryeqytetet e tjera.

Gjermania ka qenë në krye të thirrjeve për zëvendësimin e vendimmarrjes unanime për çështjet e CFSP-së me votimin me shumicë të cilësuar. Megjithatë, Franca dhe disa shtete të tjera tradicionalisht kanë kundërshtuar një ndryshim të tillë. Letra hap mundësinë për përdorim më të gjerë të shumicës së cilësuar, por nuk mbështet në mënyrë të drejtpërdrejtë një ndryshim të plotë të sistemit të votimit.

“Ne përpiqemi të arrijmë konsensus kudo që është e mundur. Por duhet të sigurohemi që kultura e konsensusit të nxisë veprimin e përbashkët dhe jo ta pengojë atë, sepse përndryshe do të kemi legjitimitet, por jo forcë”, thuhet në letër.

Përveç Francës dhe Gjermanisë, dokumentin e kanë nënshkruar edhe ministrat e Jashtëm të Austrisë, Suedisë, Danimarkës, Finlandës, Belgjikës, Holandës, Rumanisë dhe Spanjës.

Në letër propozohet që shtetet anëtare të theksojnë parimin e “bashkëpunimit të sinqertë”, që nënkupton se vendet duhet t’i respektojnë detyrimet që kanë marrë ndaj njëra-tjetrës, edhe kur ato nuk janë rreptësisht ligjërisht detyruese.

Gjithashtu, propozohet përdorimi i “abstenimit konstruktiv” në vend të vetos së plotë, në mënyrë që BE-ja të mos pengohet në veprimet e saj.

Një tjetër propozim është ndalimi i lidhjes së “çështjeve të palidhura” me çështjen që po diskutohet. Kjo do të synonte të parandalonte praktikën ku vendimet kolektive mbahen peng përmes kërcënimit me veto, derisa shtetet e tjera të pranojnë një kërkesë të veçantë kombëtare.

Nga Kaja Kallas kërkohet gjithashtu të shqyrtojë mundësitë për përmirësimin e procesit të vendimmarrjes që parashikohen në traktatet e BE-së. Ndër mundësitë përmendet e ashtuquajtura klauzolë “passerelle”, e cila mundëson ndryshimin e rregullave të votimit pa ndryshuar vetë traktatet e BE-së. Për shembull, kjo mund të përdoret për futjen e votimit me shumicë të cilësuar për disa çështje të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Në fund, theksohet nevoja që çdo shtet që përdor të drejtën e vetos për arsye jetike dhe të përcaktuara qartë të politikës kombëtare, të shpjegojë arsyet e vendimit, veçanërisht në rastet kur vendimi është miratuar me shumicë të cilësuar.

Letra pritet të diskutohet këtë javë, kur ministrat e Jashtëm të BE-së do të mblidhen në Wicklow të Irlandës për bisedime joformale në formatin Gymnich.

Në këto bisedime do të shqyrtohen edhe mundësitë për reformimin e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), strukturës diplomatike të BE-së që drejtohet nga Kaja Kallas.

Sipas dokumentit franko-gjerman, një nga mundësitë për reformimin e EEAS-së është që Kallas të bëhet nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian, me mbikëqyrje mbi njësitë e Komisionit që merren me politikën e jashtme, përfshirë tregtinë, ndihmën për zhvillim dhe mbrojtjen.

Gjithashtu, propozohet që një pjesë e madhe e stafit të EEAS-së të integrohet në strukturën e Komisionit përmes krijimit të një departamenti të ri për marrëdhëniet me jashtë.

Stafi përgjegjës për politikën e sigurisë dhe mbrojtjes do të mbetej në kuadër të EEAS-së, ndërsa në njësinë e re do të ruhej parimi që një e treta e stafit të përbëhej nga diplomatë të deleguar nga shtetet anëtare të BE-së.

Dokumenti thekson gjithashtu rolin e shteteve anëtare në përcaktimin e politikës së jashtme të BE-së. Parashikohet që përfaqësuesja e lartë të ketë një rol formal për t’i raportuar liderëve të BE-së mbi çështjet e politikës së jashtme dhe për të marrë prej tyre udhëzime të drejtpërdrejta gjatë takimeve të Këshillit Evropian. /Telegrafi/