Një operacion i gjerë policor në Mal të Zi për kapjen e një shtetasi rus të dyshuar për vrasjen e tre personave ka përfunduar me vdekjen e tij, njoftuan autoritetet të martën.
Sipas Ministrisë së Brendshme, i dyshuari, një 30-vjeçar rus, dyshohet se vrau tre punonjës të një poligoni qitjeje në Danilovgrad, pranë kryeqytetit Podgoricë.
Pas disa orësh kërkimesh, ku morën pjesë njësi speciale dhe një helikopter, policia e lokalizoi të dyshuarin në një zonë pyjore mbi qytetin turistik të Herceg Novit, më shumë se 120 kilometra larg vendit të krimit, transmeton Telegrafi.
Policia tha se, pasi u rrethua dhe e kuptoi se nuk kishte rrugëdalje, i dyshuari hapi zjarr ndaj efektivëve, të cilët iu përgjigjën me armë. Më pas, sipas autoriteteve, ai u vetëvra me armë zjarri.
Viktimat janë identifikuar si dy burra nga Podgorica, të moshës 20 dhe 24 vjeç, si dhe një 67-vjeçar nga Danilovgradi.
Pas sulmit, i dyshuari ishte larguar nga vendngjarja me automjetin e njërit prej viktimave, duke shkaktuar një operacion masiv kërkimi në të gjithë zonën.
Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi mënyrën se si ndodhën vrasjet apo mbi motivin e mundshëm.
Policia dhe Prokuroria e Lartë në Podgoricë kanë nisur hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, kryeministri malazez Milojko Spajiq shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe njoftoi dy ditë zie kombëtare në Mal të Zi. /Telegrafi/






