Pas marrëveshjes së arritur dje për kandidaturën e përbashkët të Bekim Sejdiut për president të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të zhvillojnë sot konsultime me strukturat e tyre partiake.
Sipas informacioneve të Telegrafit, konsultimet pritet të mbahen gjatë pasdites, ndërsa pas tyre pritet të ketë më shumë qartësi nëse dhe kur do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit.
Ndërkohë, LDK-ja ka paraparë edhe takime të strukturave të saj gjatë ditës së sotme.

Në orën 14:00 pritet të mblidhet Kryesia e LDK-së në zyrat e kësaj partie në Prishtinë, ndërsa në orën 16:00 pritet të mblidhet edhe Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së për kandidaturën e Sejdiut është vlerësuar si një zhvillim që mund të ndihmojë në zhbllokimin e ngërçit institucional, pas një periudhe të gjatë të përplasjeve politike.
Megjithatë, mbeten pikëpyetje rreth zbatimit të saj dhe sigurimit të votave të nevojshme në Kuvend.
Në këtë situatë, konsultimet e sotme me strukturat partiake pritet të jenë vendimtare edhe për hapat e ardhshëm institucionalë.
Nëse Bekim Sejdiu, për të cilin u dakorduan LVV dhe LDK nuk arrin të zgjidhet president në tri rundet e votimit, ashtu si edhe kundërkandidati i tij, cilido që të jetë, Kushtetuta e Kosovës parasheh shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Për zgjedhjen e presidentit, megjithatë, kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 ulëse.
Nëse LVV-së i shtohen 18 deputetët e LDK-së, numri arrin në të paktën 81 vota. Kjo do të ishte e mjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, me kusht që të paktën 80 deputetë të jenë të pranishëm gjatë votimit.
Megjithatë, deri më tani, një deputet i LDK-së, ish-kryeministri Avdullah Hoti, publikisht ka dalë kundër kandidaturës së Sejdiut. /Telegrafi/





