Presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar raportimet se ka vendosur të mos marrë pjesë në ceremoninë zyrtare në Ground Zero, me rastin e 25-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, sepse organizatorët nuk e lejuan të mbajë fjalim.
Sipas raportimeve, administrata Trump ishte informuar se presidenti pritej të merrte pjesë në ceremoninë në World Trade Center, por organizatorët i kujtuan Shtëpisë së Bardhë rregullin që ndalon figurat politike të mbajnë fjalime gjatë ceremonisë.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë nuk e konfirmoi këtë si arsye, transmeton Telegrafi.
Zëdhënësja e saj, Anna Kelly, tha se Trump do të nderojë viktimat dhe familjet e tyre, si dhe do të kujtojë zjarrfikësit, policët dhe të gjithë personat që rrezikuan jetën në përpjekje për të shpëtuar të tjerët.
Trump, ndërkohë, sulmoi ashpër gazetaren e The New York Times që publikoi raportimin, duke e akuzuar për “lajme të rreme” dhe duke mohuar se kishte kërkuar të fliste në ceremoninë e New York-ut.
“Kjo është një ceremoni solemne”, shkroi Trump në Truth Social, duke shtuar se në atë ditë duhet të kujtohen viktimat dhe familjet e tyre.
Në vend të Ground Zero-s, Trump do të marrë pjesë në ceremoninë në Pentagon, në Arlington të Virxhinias, një tjetër nga objektivat e sulmeve të 11 Shtatorit.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance pritet të marrë pjesë në ceremoninë në New York, së bashku me ish-presidentët Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama.
Trump kishte marrë pjesë për herë të fundit në ceremoninë e Ground Zero-s në vitin 2024, por edhe atëherë nuk mbajti fjalim.
Kur u pyet nëse do të merrte pjesë në të dyja ceremonitë, Trump dha një përgjigje të shkurtër: “Po shkoj në Pentagon”. /Telegrafi/






