John Galliano tërhiqet nga ekspozita, ndryshon tema e Met Gala 2027

Magazina

John Galliano ka anuluar një ekspozitë të rëndësishme që do t’i kushtohej punës së tij si dizajner mode, pasi ajo u përball me kritika për shkak të dënimit të tij të mëparshëm për deklarata antisemitike. Muzeu Metropolitan i Artit në New York, i njohur si The Met, kishte njoftuar organizimin e ekspozitës me titull “John […]

Madhësia e shkronjave

John Galliano ka anuluar një ekspozitë të rëndësishme që do t’i kushtohej punës së tij si dizajner mode, pasi ajo u përball me kritika për shkak të dënimit të tij të mëparshëm për deklarata antisemitike.

Muzeu Metropolitan i Artit në New York, i njohur si The Met, kishte njoftuar organizimin e ekspozitës me titull “John Galliano: Horizons”, e cila ishte planifikuar të hapej në maj të vitit 2027, shkruan BBC.

Megjithatë, Galliano njoftoi të hënën se kishte vendosur ta anulonte ekspozitën.

“Pas shumë reflektimi dhe diskutimesh me Met-in dhe të gjithë të përfshirët, kam vendosur, me shumë trishtim, se është më mirë që ekspozita të mos zhvillohet në këtë moment”, tha ai.

Dizajneri britanik u shkarkua nga posti i drejtorit kreativ të Dior-it në vitin 2011, pasi u shpall fajtor për abuzim verbal ndaj një kuratoreje hebreje në një restorant në Paris.

Gjatë procesit gjyqësor u dëgjua gjithashtu se ai kishte përdorur fyerje raciste ndaj shoqes së saj, e cila ishte me origjinë nga Azia Jugore. Në një incident tjetër, Galliano kishte deklaruar se e donte Adolf Hitlerin.

Në atë kohë, ai kërkoi falje për sjelljen e tij, ndërsa avokati i tij e kishte lidhur atë me “stresin e lidhur me punën dhe varësitë e shumta”.

Në deklaratën e tij të së hënës, Galliano tha se vazhdon të mbajë përgjegjësi të plotë për dhimbjen e shkaktuar nga fjalët e tij në të kaluarën, veçanërisht për lëndimin që u ka shkaktuar komuniteteve hebraike dhe aziatike.

“E kuptoj se pendesa dhe shlyerja e sinqertë e fajit nuk arrihen përmes një ekspozite, njohjes institucionale apo një gjesti të vetëm publik”, tha ai.

“Kjo është një përgjegjësi e vazhdueshme, e cila dëshmohet përmes dëgjimit, të mësuarit dhe mënyrës se si sillemi me kalimin e kohës.”

Galliano shtoi se nuk dëshironte “të largonte vëmendjen nga puna e jashtëzakonshme” e Institutit të Kostumeve të Met-it dhe tha se e kuptonte dhe e respektonte faktin se një ekspozitë që nderon punën e tij “do të ishte e dhimbshme për disa njerëz”.

Në deklaratën e re të Gallianos u theksua gjithashtu se ai ka kaluar 15 vjet në abstinencë dhe në procesin e rikuperimit nga alkoolizmi dhe varësia.

Përveçse do të ishte në qendër të ekspozitës, John Galliano dhe puna e tij në botën e modës do të shërbenin gjithashtu si temë për edicionin e ardhshëm të Met Gala-s.

Eventi madhështor, ku marrin pjesë emrat më të njohur të botës së modës dhe showbiz-it, ishte planifikuar të mbahej më 3 maj, në të njëjtën ditë me Yom HaShoah, Ditën e Përkujtimit të Holokaustit dhe Heroizmit.

Anna Wintour, drejtoresha globale editoriale e Vogue, anëtare e bordit të Metropolitan Museum of Art dhe bashkëkryesuese e Met Gala-s, shprehu mbështetjen e saj për Gallianon të hënën.

“Vendimi i John-it që ekspozita kushtuar punës së tij të mos zhvillohet në këtë moment është shumë i guximshëm dhe tregon shumë për njeriun që ai është”, tha Wintour.

“Besoj se ky është vendimi i duhur dhe ai, ashtu si edhe muzeu, kanë mbështetjen time të plotë.”