Kancelari federal Friedrich Merz (CDU) ka mbrojtur rritjen e ndjeshme të shpenzimeve të Gjermanisë për mbrojtjen.
Në intervistën verore të ARD-së, të dielën në mbrëmje (30.08.), ai paralajmëroi kundër shkurtimit të shpenzimeve dhe blerjeve të reja të planifikuara për vitet e ardhshme, me qëllim lehtësimin financiar të qytetarëve.
“Çfarë vlere ka edhe pagesa më e mirë për prindërit, nëse humbasim lirinë tonë dhe rrezikohet paqja në Evropë?”, tha Merz.
Sipas tij, liria dhe paqja janë “prioriteti që duhet të sigurojmë”. Vetëm atëherë mund të ketë edhe zhvillim ekonomik në Gjermani.
Kritika e kancelarit ndaj politikës së qeverive paraardhëse
“Ne duhet të korrigjojmë mangësitë e 15 viteve të fundit”, tha Merz, duke iu referuar pajisjes dhe gjendjes së ushtrisë gjermane.
“Bundeswehri nuk është aty ku duhet të jetë. Ne duhet të jemi në gjendje të mbrohemi në Gjermani.”
Megjithatë, kancelari u shpreh se projektet e armatimit për modernizimin e Bundeswehr-it duhet të realizohen “shumë më me efikasitet dhe me kosto më të ulëta”.
Ai përmendi si shembull bashkëpunimin me Ukrainën, i cili tregon se prodhimi mund të bëhet me kosto më të favorshme.
Në intervistën e ARD, kancelari federal iu përgjigj për gati 30 minuta pyetjeve të gazetarit gjerman Markus Preiß, drejtues i studios së ARD-së në Berlin.
Ashtu si në disa dalje të tjera mediatike që nga kthimi i tij nga pushimet rreth një javë më parë, përfshirë konferencën përmbyllëse për shtyp të mbledhjes së qeverisë federale të mërkurën në Neuhardenberg, Merz foli për situatën e kërcënimeve dhe nevojën për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen.
Ai përmendi Ukrainën e kërcënuar, por nuk iu referua drejtpërdrejt Rusisë apo presidentit të saj, Vladimir Putin.
Kjo u vu re edhe kur gazetari gjerman e pyeti për incidentin në aeroportin e Leipzigut, ku më 4 gusht një dron i pajisur me eksploziv, me origjinë të panjohur, u rrëzua në afërsi të drejtpërdrejtë të avionëve transportues ukrainas.
Lidhur me këtë “incident në Leipzig”, Merz tha se qeveria federale do të reagojë “në ditët në vijim”.
Sipas tij, kjo përgjigje do të jetë “e koordinuar përfundimisht me Bashkimin Evropian dhe partnerët e NATO-s”. Ai shtoi se partnerët e Gjermanisë “nuk do të befasohen” nga ky reagim.
Paralajmërim për suksesin e AfD-së në Saksoni-Anhalt
Duke iu referuar zgjedhjeve parlamentare të landit të Saksoni-Anhaltit, që mbahen të dielën e ardhshme, ku sipas sondazheve AfD-ja, e klasifikuar në land nga Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës si ekstremiste e djathtë, pritet të bëhet forca më e madhe politike dhe shpreson madje për një shumicë absolute, kancelari federal paralajmëroi për pasoja të rënda ekonomike.
“Nëse ndodh ajo që aktualisht duhet të kemi frikë se mund të ndodhë, landi do të pësojë dëme të konsiderueshme”, tha Merz lidhur me një fitore të mundshme të AfD-së.
Ai theksoi se e ka të vështirë të imagjinojë që investitorët ndërkombëtarë do të vazhdonin të merrnin pjesë në ceremoni për vendosjen e gurthemelit të fabrikave të reja apo të investonin në ngritjen e ndërmarrjeve të reja në Saksoni-Anhalt, nëse landi do të drejtohej nga një kryeministër i AfD-së.
Megjithatë, Merz nënvizoi se kjo është një vendimmarrje që u takon votuesve dhe votueseve të Saksoni-Anhaltit.
Kur gazetari vuri në dukje se Merz kishte thënë “gjithmonë” se nën drejtimin e tij politik rezultatet zgjedhore të AfD-së do të përgjysmoheshin, kancelari e kundërshtoi këtë pretendim.
Ai tha se këtë nuk e kishte thënë “gjithmonë”, por “së fundi në vitin 2018”.
Në intervistën e ARD, Merz nuk pranoi të përcaktohej qartë, nëse dëshiron që kreu i ardhshëm i shtetit të jetë një grua. Mandati i presidentit federal Frank-Walter Steinmeier përfundon në mesin e marsit 2027, ndërsa Asambleja Federale do të vendosë për pasardhësin e tij më 30 janar.
“Nuk është sekret që kam shumë simpati për këtë ide”, tha Merz.
Megjithatë, ai theksoi se më e rëndësishme është që Gjermania të ketë një president ose presidente që e mban të bashkuar shoqërinë dhe ka një fuqi të madhe integruese për vendin.
Sipas tij, kjo është më e rëndësishme sesa çështja e gjinisë.
Megjithatë, ai shtoi se në radhët e CDU/CSU-së ka disa gra të cilave do t’ua besonte këtë detyrë.
Ndër gratë e Unionit (CDU/CSU) që prej muajsh përmenden si kandidate të mundshme për postin e presidentes federale, në radhë të parë është Ilse Aigner (CSU), kryetare e parlamentit të Bavarisë dhe një politikane me përvojë të gjatë edhe në politikën federale.
Po ashtu, në diskutim janë edhe politikanet e CDU-së Karin Prien dhe Julia Klöckner, si dhe Annegret Kramp-Karrenbauer, kryetare e Fondacionit Konrad Adenauer, që është i afërt me CDU-në. /DW/






