Deputetët e PDK-së dhe Aleancës kanë vazhduar edhe sot aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në ndërtesë.
Aksionit të deputetëve këtë herë u janë bashkuar edhe asamblistë, drejtorë dhe aktivistë të PDK-së nga komunat e Skënderajt dhe Istogut.

Ata janë mbledhur në orët e mëngjesit para objektit të Qeverisë, në kuadër të aksionit opozitar për kundërshtimin e situatës aktuale institucionale.
PDK-ja dhe Aleanca kanë kërkuar vazhdimisht vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit dhe funksionalizimin e institucioneve të reja të vendit.
Ky aksion i opozitës po përsëritet prej disa javësh, ndërsa deputetëve të PDK-së u janë bashkuar në ditë të ndryshme edhe deputetë të Aleancës, si dhe asamblistë, drejtorë e aktivistë të partisë nga komuna të ndryshme. /Telegrafi/





