Leao në ‘udhëkryq’, dy klube luftojnë për transferimin e portugezit

Sport

E ardhmja e Rafael Leaos vazhdon të mbetet e paqartë, me disa burime që raportojnë se sulmuesi portugez ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për hapin e ardhshëm në karrierë. Milani tashmë e ka pranuar se koha e Leaos në “San Siro” po shkon drejt fundit dhe është detyruar të ulë kërkesat financiare për […]

Madhësia e shkronjave

E ardhmja e Rafael Leaos vazhdon të mbetet e paqartë, me disa burime që raportojnë se sulmuesi portugez ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për hapin e ardhshëm në karrierë.

Milani tashmë e ka pranuar se koha e Leaos në “San Siro” po shkon drejt fundit dhe është detyruar të ulë kërkesat financiare për kartonin e tij.

Fillimisht, “Rossonerët” kërkonin rreth 60 milionë euro, përfshirë bonuset, ndërsa tashmë janë të gatshëm ta pranojnë një paketë prej rreth 50 milionë eurosh.

Në garë për shërbimet e tij janë Aston Villa dhe Galatasaray, të cilat në forma të ndryshme janë të gatshme t’i afrohen kërkesës së Milanit. Për këtë arsye, vendimi përfundimtar pritet të jetë në duart e vetë Leaos.

Gazeta portugeze Record, ka raportuar se Leao tashmë ka zgjedhur Aston Villan si destinacionin e tij të ardhshëm. Megjithatë, Sky Sport Italia, MilanNews dhe burime të tjera paralajmërojnë se marrëveshja ende nuk është përfunduar dhe se gara mbetet e hapur.

Trajneri i Aston Villas, Unai Emery, po përpiqet maksimalisht ta bindë Leaon për projektin e klubit. Madje, trajneri spanjoll ka kontaktuar drejtpërdrejt me futbollistin për t’i prezantuar planin e tij.

Vetë Leao ka bërë të ditur më herët se mendon se Liga Premier i përshtatet më shumë stilit të tij të lojës sesa Serie A, çka mund t’i japë avantazh Aston Villas në këtë garë.

Megjithatë, problem mbetet oferta financiare e klubit anglez. Aston Villa raportohet se i ka ofruar Leaos një pagë prej rreth 6.5 milionë eurosh në sezon, plus bonuse të lidhura me paraqitjet dhe rezultatet.

Kjo shifër është dukshëm më e ulët se kërkesa e portugezit, i cili synon të përfitojë rreth 12 milionë euro në vit. Për këtë arsye, Leao i ka kërkuar Aston Villas të përmirësojë kushtet personale përpara se të marrë vendimin përfundimtar.

Edhe Milani nuk është plotësisht i kënaqur me propozimin e klubit anglez. Aston Villa po kërkon që transferimi të realizohet fillimisht në formë huazimi, me detyrim blerjeje në fund të sezonit.

Në anën tjetër, Galatasaray është gati të ofrojë menjëherë 45 milionë euro, plus 5 milionë euro në formë bonusesh, duke e bërë ofertën turke më të favorshme nga këndvështrimi i Milanit

Kështu, edhe pse Record këmbëngul se Leao tashmë ka vendosur për Aston Villan, situata mbetet ende e hapur.

Portugezi duket se anon nga transferimi në Ligën Premier, por fillimisht duhet të arrihet një marrëveshje për kushtet financiare. /Telegrafi/