Ish-aktorja Raquel Lee Bolleau ka ngritur një padi kundër The Walt Disney Company, duke pretenduar se është përdhunuar dhe ngacmuar seksualisht disa herë gjatë kohës kur po xhironte filmin “The Poof Point”.
Sipas padisë, të dorëzuar në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit, Bolleau ishte vetëm 14 vjeçe kur një punonjës i Disneyt, i identifikuar në dokumente si “John Doe”, dyshohet se i siguronte alkool dhe ushtronte presion ndaj saj që ta konsumonte.
Aktorja pretendon se më pas ai e ka sulmuar dhe përdhunuar seksualisht në mënyrë të përsëritur.

Sipas saj, pavarësisht diferencës së madhe në moshë, i dyshuari i kishte thënë: “Je mjaftueshëm e rritur. Mund ta përballosh”.
Në padi thuhet gjithashtu se sjellja e punonjësit ishte e dukshme për të rriturit që ndodheshin në set dhe se ambienti i xhirimeve nuk ishte i sigurt për një të mitur.
Bolleau akuzon Disneyn se nuk e ka mbrojtur nga abuzimi dhe se ka dështuar në përmbushjen e detyrimeve ligjore për mbrojtjen e fëmijëve që punonin në produksion.
Sipas padisë, regjisori i filmit dhe trajneri i dialogut të Disneyt madje i kishin kërkuar asaj të “ndërtonte një marrëdhënie dhe të kalonte kohë” me personin që ajo akuzon.
Raquel Lee Bolleau është e njohur për rolet e saj në “Malcolm & Eddie”, “The Amanda Show” të Nickelodeon dhe “Double Dare 2000”.
Për momentin, Disney nuk ka dhënë një koment zyrtar lidhur me akuzat. Padia përmban pretendime që duhet të shqyrtohen përmes procesit gjyqësor dhe nuk përbëjnë ende një vendim gjykate. /Telegrafi/





