Crvena Zvezda është ndëshkuar nga UEFA pas ndeshjes së kthimit ndaj Hapoel Be’er Shevas në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.
Klubi serb, që u eliminua nga gara pas humbjes 2-0 në Beograd, është gjobitur me një total prej 135,500 eurosh për një sërë shkeljesh të evidentuara gjatë ndeshjes.
Sanksioni më i madh, prej 50,000 eurosh, është vendosur për shfaqjen e një mesazhi në lidhje me Kosovën, që nga UEFA konsiderohet si i papërshtatshëm për një ngjarje sportive, e që po ashtu dëmton reputacionin e futbollit dhe të vetë organizatës evropiane.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe në ndeshjen e fundit evropiane, ndaj Vitoria Plzen, ku tifozët e kësaj të fundit, nxorën një flamur me hartën e Kosovës.
Crvena Zvezda është gjobitur edhe me 35,000 euro për probleme të ndryshme organizative, përfshirë trazirat në tribuna, mbrojtjen e pamjaftueshme të fushës nga hyrja e personave të paautorizuar dhe dyert e mbyllura të evakuimit emergjent.
Për kalimet e bllokuara në tribuna, klubi serb është gjobitur me 22,000 euro, ndërsa hedhja e objekteve në fushë i ka kushtuar edhe 23,250 euro. Për përdorimin e mjeteve piroteknike, Crvena Zvezda është gjobitur me 5,250 euro.
Në anën tjetër, edhe Hapoel Be’er Sheva është ndëshkuar nga UEFA me 16,250 euro. Klubi izraelit do të paguajë 8,250 euro për hedhjen e objekteve në fushë dhe 8,000 euro për dëmtimin e infrastrukturës së stadiumit.
Përveç gjobave ndaj klubit, UEFA ka marrë masa edhe ndaj mesfushorit Mohamed Abu Fani. Futbollisti i Crvena Zvezdës është suspenduar për tri ndeshje pas kartonit të kuq direkt që mori në përballjen ndaj Hapoel Be’er Shevas.






