Kylie Minogue ka rikthyer një nga pamjet e saj më ikonike të viteve të 80-ta, teksa feston 25-vjetorin e albumit “Fever”, një prej projekteve më të suksesshme të karrierës së saj.
58-vjeçarja pozoi për revistën “Perfect” me flokët në kaçurrela të shkurtra, të frymëzuara nga stili që mbante në fillimet e karrierës.
Në setin fotografik ajo eksperimentoi edhe me pamje të tjera që i referoheshin periudhave të ndryshme të karrierës, përfshirë prerjen e shkurtër të flokëve nga epoka e albumit “Impossible Princess” të vitit 1997, shkruan DailyMail.
Albumi “Fever”, i publikuar në vitin 2001, shënoi një moment vendimtar për Kylie, sidomos në Shtetet e Bashkuara.
Projekti përfshinte hitet “Can’t Get You Out of My Head” dhe “Love at First Sight” dhe e ndihmoi këngëtaren të depërtonte fuqishëm në tregun amerikan, pavarësisht se para publikimit të albumit ajo nuk kishte ende një kompani diskografike amerikane.
Duke kujtuar ritmin e jashtëzakonshëm të ngjarjeve pas suksesit të “Fever”, Kylie tha se gjithçka ndodhi shumë shpejt: “Nuk kisha një shtëpi diskografike amerikane përpara se të dilte ‘Fever’.
Gjëja tjetër që bëra ishte që më çuan me një G5 në Cancun për të bërë diçka”. Ajo e përshkroi atë periudhë si “çmenduri në një mënyrë të shkëlqyer”.
Kylie foli gjithashtu për videoklipin e “Can’t Get You Out of My Head” dhe rëndësinë e mënyrës se si këngëtarja paraqitet përmes kamerës.
Ajo vlerësoi veçanërisht punën e regjisores Dawn Shadforth, duke theksuar se bashkëpunëtorët dhe ekipi janë thelbësorë për të sjellë në ekran një ide që mund të ndryshojë plotësisht mënyrën se si perceptohet një artiste. /Telegrafi/





