Organizatorët e Eurovisionit po shqyrtojnë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e votimit, me synimin për të kufizuar fushatat e organizuara që mund të ndikojnë në rezultatin e konkursit.
Sipas propozimit të EBU-së (Unioni Evropian i Transmetuesve), votimi i publikut do të zhvillohej vetëm përmes internetit.
Gjithashtu, shikuesit mund të detyrohen të votojnë për tre këngëtarë të preferuar, në vend që të përdorin të gjitha votat për një përfaqësues të vetëm.
Çështja e votimit u vu nën vëmendje të madhe pas Eurovisionit të vitit 2025, kur qeveria izraelite inkurajoi votuesit të përdornin numrin maksimal të votave për përfaqësuesen e saj, Yuval Raphael.

Kënga e saj “New Day Will Rise” u rendit e 15-ta nga juritë, por mori 297 pikë nga publiku, më shumë se çdo konkurrent tjetër, duke përfunduar në vendin e dytë.
Pas kësaj, disa televizione kombëtare ngritën pikëpyetje mbi rezultatin, duke vënë në dukje se profile të lidhura me qeverinë izraelite, përfshirë atë të kryeministrit Benjamin Netanyahu, kishin bërë thirrje që Raphael të merrte numrin maksimal të votave.
Për Eurovisionin 2026, EBU e uli numrin maksimal të votave për person nga 20 në 10 vota.
– YouTube www.youtube.com
Megjithatë, organizatorët iu desh të paralajmëronin edhe televizionin izraelit Kan, pasi përfaqësuesja e tij kishte publikuar një video ku u kërkonte fansave të “votonin 10 herë për Izraelin”.
Sipas EBU-së, ndryshimet e propozuara synojnë të reduktojnë ndikimin e votimit të mobilizuar në bllok, duke ruajtur njëkohësisht besimin dhe drejtësinë e konkursit.
EBU ka pranuar gjithashtu se klima aktuale gjeopolitike po ndikon në mënyrën se si publiku voton.
Ndërkohë, EBU ka njoftuar edhe ndryshime të tjera për edicionet e ardhshme, përfshirë rregulla më të rrepta për pjesëmarrjen e shteteve në situata të ndjeshme gjeopolitike, rritjen e moshës minimale të konkurrentëve nga 16 në 18 vjeç dhe kufizime më të forta për përdorimin e vokaleve të regjistruara paraprakisht.
Eurovisioni vazhdon kështu të përballet me ndryshime të rëndësishme, gjersa organizatorët përpiqen të ruajnë karakterin muzikor të konkursit dhe të shmangin ndikimin e fushatave politike në rezultatet e votimit. /Telegrafi/





