Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, e ka përgenjështruar kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Thaçi tha se nuk ka ekzistuar dokument për ndarjen e Maqedonisë dhe se ideja për ndarjen e vendit është nxjerrë nga pseudo-akademikë të UDB-së.
“Për ndarjen e Maqedonisë nuk ka pasur dokument. Kanë qenë disa pseudoakademikë në atë kohë, të instruktuar nga UDB-ja e Serbisë, të cilët e nxorën këtë ide. Ajo s’ka qenë ide e Akademisë së Shkencave dhe as Arben Xhaferi nuk ka dokument, sepse nuk ekziston. Ali Ahmetit atëherë UDB-ja i ka thënë: kjo është rruga që mund ta shkatërrosh organizimin politik të shqiptarëve. Dhe ai flet palidhje, na paska ekzistuar dokument”, deklaroi Thaçi.
Këto komente vijnë pasi në shënimin e përvjetorit të 25-të të Marrëveshjes së Ohrit, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, pas fjalës së ish-ministrit Vllado Buçkovski se ka pasur plan për ndarjen e Maqedonisë, konfirmoi se ai e ka pasur në dorë atë projekt të ndarjes.
“Po, unë e kam pasur projektin e ndarjes z.Buçkovski! Dhe e kam pasur prej autoriteteve të larta! Dhe unë nuk e kam pranuar! Sepse shqiptarët e Shkupit nuk do të ishin me mua bashkë. Unë do të isha Shqipëri, por Shkup, Kumanovë, Strugë, Kërçovë, Prilep, Veles, të gjithë do të ishin jashtë kufijve të Shqipërisë”, theksoi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Kreu i PDSH-së, Thaçi, paralajmëroi se nëse Ahmeti vazhdon me këso deklaratash, do ta padisë në gjyq në emër të Arben Xhaferit, sepse sipas Thaçit, një denoncim i tillë është i palejueshëm.






