Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili ka bërë të ditur se PDK nuk do të jetë në takimin e thirrur nga Albulena Haxhiu.
Ismaili në një konferencë për media tha se Haxhiu do të duhej që t’i kishte shkruar kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari që ta thërrasë seancën.

“E para, kjo është edhe një tentativë manipulimi e zotit Kurti me shtyrjen e afateve kundrejt afatit të Gjykatës Kushtetuese, pra është një manipulim i radhës. Zonja Albulena Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër Deharit që ta thërrasë Kuvendin. Sepse çdo pushtet në Kosovë, çdo pushtet politik funksionon dhe bazohet në Kuvendin e Kosovës dhe Kuvendi është i suspenduar…
Çfarë logjike ka kjo, qysh mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra… ajo ish dashtë që letrën e parë t’ia dërgoj Deharit… PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend”, deklaroi ai.
Sot gjatë ditës edhe Aleanca ka bërë të ditur se ka refuzuar takimin me Haxhiun.
Ndryshe, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre në një takim konsultativ të martën, më 18 gusht, në orën 09:00.
Ftesën e ka konfirmuar Presidenca e Kosovës, ndërsa ajo u është dërguar veçmas përfaqësuesve të subjekteve politike.
Në ftesë thuhet se takimi lidhet me zhvillimet aktuale politike dhe institucionale, si dhe me arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual. /Telegrafi/





