Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka deklaruar se partia e tij nuk ka pasur vija të kuqe ndaj asnjë subjekti politik dhe se ka qenë e gatshme për bashkëpunim, përfshirë edhe bashkëpunimin qeverisës.
Në një konferencë për media, Hamza tha se takimet e zhvilluara deri më tani nuk kanë prodhuar rezultate konkrete, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se nuk ka kërkuar bashkëpunim, por nënshtrim.
“Ne kemi thënë që s’kemi vija të kuqe me ndonjë parti politike. Nuk i kemi ikur bashkëpunimeve e takimeve, kemi folur edhe për bashkëpunime qeverisëse. Por, nuk kanë qenë takime produktive me rezultat. Kurti nuk do bashkëpunim, partneritet, por nënshtrim”, tha Hamza.

Ai theksoi se, bazuar në zhvillimet e fundit, PDK ka marrë qëndrim zyrtar që të veprojë si parti opozitare, duke premtuar kritika dhe alternativa, por edhe mbështetje për çështjet që i konsideron me interes për vendin.
Hamza e cilësoi situatën aktuale institucionale si serioze, duke përmendur, siç tha ai, suspendimin e rendit kushtetues, mosrespektimin e Rregullores së Punës së Kuvendit dhe vendimeve të Gjykatës.
“Nuk mund të jesh në të njëjtën kohë edhe deputet, edhe ministër e kryeministër”, u shpreh ai, duke shtuar se nuk ka pasur pengesa për konstituimin e institucioneve.
Kreu i PDK-së tha se partia e tij po kërkon që rezultati i zgjedhjeve të respektohet dhe vendi të pajiset me institucione funksionale.
“Ne po themi: ejani në përputhje me rezultatin zgjedhor, t’i japim vendit institucione. Bëjeni kryetarin e Kuvendit, qeverinë, zgjidheni presidentin. Tash, pas qëndrimit të fundit të LDK-së, rruga është e hapur, i kanë numrat, i kanë votat”, deklaroi Hamza.
Sipas tij, përgjegjësia për tejkalimin e krizës institucionale tashmë bie mbi Albin Kurtin, i cili, sipas Hamzës, duhet të vendosë nëse do t’i japë vendit institucione funksionale apo do ta mbajë atë në një vakum institucional dhe pa stabilitet politik.
I pyetur për takime të tjera me Kurtin ai tha: “Për me bo ftesa pa përmbajtje ne mundemi me bo. Unw kam pasur takim me tw, edhe me shkresa zyrtare kemi kontaktuar…”, tha ai.





