Sabri Novosella ka rrëfyer detaje nga arratisja e tij nga Kosova, pasi kishte marrë informacion se autoritetet jugosllave planifikonin ta arrestonin. Rrëfimi është bërë në kuadër të ciklit të intervistave “Dosjet” të emisionit “Debat Plus”.
Novosella tregoi se informacionin për arrestimin e planifikuar ia kishte dhënë Ramadan Xhema, i cili, sipas tij, e kishte njoftuar se në mëngjesin e ditës së nesërme, rreth orës 05:00, do të shkonin për ta arrestuar.
“Dhe më tregon Ramadan Xhema, thotë kështu më thanë, nesër mëngjes në ora 05:00 kemi me shku me burgos”, rrëfeu Novosella.
Pas këtij informacioni, ai tha se ishte kthyer në shtëpi, por kishte vërejtur se po përcillej nga një person që, sipas tij, ishte spiun i UDB-së.

“E kisha një përcjellës dhe më përcillte mua deri në derë”, tha Novosella, duke shtuar se personi e kishte shoqëruar deri në oborrin e shtëpisë dhe më pas ishte larguar.
Novosella tha se, edhe pse ai person ishte i përfshirë në përcjelljen e tij, besonte se nuk e kishte bërë këtë me dëshirë, pasi kishte familje dhe fëmijë dhe, sipas tij, kishte frikë se mund të përfundonte edhe vetë në burg.
Pasi mori informacionin për arrestimin, Novosella tha se rreth mesnatës kishte vendosur të largohej dhe kishte shkuar te motra e tij, Igballe Novosella, dhe bashkëshorti i saj, Fadil Mehmeti.
Ai u tregoi për situatën, ndërsa familjarët organizuan mënyrën se si do të njoftonin të tjerët në rast se policia do të vinte në orën 05:00.
“Fadil Mehmeti në ora 5:00, ata u lajmëruan, njoftuan krejt”, tregoi Novosella.
Më pas, ai u largua nga Prishtina në drejtim të Podujevës dhe qëndroi për disa ditë në fshatin Dumnicë. Sipas rrëfimit të tij, pas tre-katër ditësh një mik i vëllait të tij, Fuati, kishte ardhur me veturë për ta marrë.
“Tha: ‘Baca Sabri, unë jam ardh me të marrë e me të dërgu ku të thuash ti, unë jam i gatshëm me vdek me ty’”, rrëfeu Novosella.
Nga Podujeva, ata udhëtuan në drejtim të Pejës dhe më pas Gjakovës, ku Novosella kërkoi ndihmën e bashkëveprimtarit të tij, Mark Murturit.
Novosella tha se Murturit i tregoi se kishte vetëm dy mundësi: të vdiste ose të kalonte kufirin dhe të arratisej në Shqipëri.
Sipas tij, Murturi e kishte paralajmëruar se në zonën kufitare kishte prani të shtuar të milicisë dhe se kalimi do të ishte shumë i rrezikshëm.
Pavarësisht rrezikut, Novosella dhe personat që e ndihmuan vendosën të vazhdonin rrugën.
Ai tregoi se kufirin e kishte kaluar gjatë muajit dhjetor, në rrethana të vështira.
“Dola në Shqipëri, ata u kthyen”, tha Novosella, duke treguar se Mark Murturi më pas kishte njoftuar familjen e tij se ai kishte arritur të kalonte në anën tjetër të kufirit.
Novosella e cilësoi arratisjen e tij si një periudhë ku kishte qenë vazhdimisht i rrezikuar, duke thënë se për të ishte më e pranueshme të rrezikonte jetën sesa të përfundonte sërish në burg.
“Ma lehtë e kam pasë me vdek se me më mbytë ata kadalë-kadale”, u shpreh ai.
Pas mbërritjes në Shqipëri, Novosella tregoi se kishte përdorur lidhjet e organizatës së tij për të kontaktuar me dy emigrantë të tjerë që ishin larguar nga Jugosllavia dhe që më vonë kishin marrë pozita në Shqipëri.
Sipas tij, organizata kishte krijuar më herët lidhje me Shqipërinë dhe këto kontakte i ndihmuan atij pas arratisjes.





