Ukraina i ka propozuar Rusisë një moratorium për sulmet ndaj objektivave civile në Detin e Zi.
Propozimi i është përcjellë Moskës përmes ndërmjetësve, por Rusia ende nuk ka dhënë përgjigje.
Sipas autoriteteve ukrainase, forcat ruse kanë sulmuar të paktën 50 anije tregtare gjatë muajve qershor dhe korrik. Më shumë se 30 civilë janë vrarë. Sulmet kanë shënjestruar anije që transportonin grurë nga portet ukrainase.
Një nga incidentet më vdekjeprurëse ishte sulmi ndaj anijes Golden Leo në korrik. Një raketë ruse goditi anijen pak pasi ajo ishte larguar nga porti. Dhjetë persona u vranë, përfshirë një pilot ukrainas. Një javë më vonë, anija u fundos.
Rusia po përdor armë të reja me precizitet të lartë, të cilat i bëjnë anijet e ngadalta të transportit të mallrave objektiva të lehta. Sipas zyrtarëve ukrainas të porteve, kjo duket si një gjueti sistematike ndaj anijeve civile.
Miliona tonë grurë ukrainas janë në rrezik. Porti i Odesës dhe dy portet fqinje përbëjnë rreth 60 për qind të të ardhurave nga eksportet e Ukrainës, që arrijnë në afërsisht 3.5 miliardë dollarë në muaj.
Skynews vëren se sulmet mund të ndërpresin furnizimet globale me grurë, misër dhe elb. Ukraina, nga ana e saj, po sulmon anijet që i përkasin të ashtuquajturës “flota hije” e Rusisë. /Telegrafi/






