LDK mbledh sot Grupin Parlamentar

Nacionale

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pritet të mbajë sot një mbledhje të Grupit Parlamentar, ku pritet të diskutohen zhvillimet e fundit politike në vend dhe situata e krijuar rreth konstituimit të institucioneve. Takimi pritet të mbahet në orën 14:00 në Kuvendin e Kosovës. Mbledhja e Grupit Parlamentar vjen në një kohë kur skena politike në […]

Madhësia e shkronjave

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pritet të mbajë sot një mbledhje të Grupit Parlamentar, ku pritet të diskutohen zhvillimet e fundit politike në vend dhe situata e krijuar rreth konstituimit të institucioneve.

Takimi pritet të mbahet në orën 14:00 në Kuvendin e Kosovës.

Mbledhja e Grupit Parlamentar vjen në një kohë kur skena politike në Kosovë vazhdon të jetë e përfshirë nga një ngërç institucional, veçanërisht sa i përket zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.

Pavarësisht takimit të fundit ndërmjet drejtuesve të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), palët nuk kanë arritur marrëveshje për postin e presidentit.

Kryesuesi i Kuvendit nga radhët e LVV-së, Avni Dehari ka deklaruar se seanca për konstituimin e plotë të Kuvendit do të thirret pasi të arrihet një marrëveshje politike për presidentin.

Ndërkohë, situata në Kuvend u tensionua edhe më tej të mërkurën, ku pati përplasje verbale dhe fizike ndërmjet deputetëve të LVV-së, PDK-së dhe Aleancës.

Deputetët e PDK-së dhe Aleancës kanë kërkuar që LVV-ja të thërrasë seancën e Kuvendit, në mënyrë që të përfundojë konstituimi i tij dhe të hapet rruga për formimin e qeverisë.

Në anën tjetër, nga LVV-ja është kundërshtuar kjo kërkesë, me arsyetimin se fillimisht duhet të arrihet një marrëveshje politike. Sipas tyre, pa një marrëveshje për presidentin ekziston rreziku që vendi të shkojë sërish në zgjedhje. /Telegrafi/