Ferran Torres është shumë pranë largimit nga Barcelona, me Paris Saint-Germain që pritet të finalizojë transferimin e sulmuesit spanjoll gjatë kësaj jave.
Sipas gazetarit të njohur të transferimeve, Fabrizio Romano, Torres nuk do të marrë pjesë në stërvitjet e Barcelonës këtë javë, teksa kalimi i tij te kampionët e Francës është në fazat përfundimtare.

Barcelona dhe PSG-ja kanë arritur një marrëveshje të plotë në parim për transferimin e 26-vjeçarit. Operacioni pritet t’i kushtojë klubit francez 50 milionë euro, ndërsa marrëveshja përfshin edhe 5 milionë euro të tjera në formë bonusesh.
Torres tashmë ka arritur marrëveshje për kushtet personale me Paris Saint-Germain dhe është i gatshëm për një kapitull të ri në karrierën e tij.
Një nga arsyet që e ka shtyrë sulmuesin drejt transferimit në Paris është mundësia për të punuar sërish me Luis Enriquen, me të cilin ka bashkëpunuar më parë te Kombëtarja e Spanjës.
Luis Enrique e njeh mirë Torresin dhe e ka përdorur atë gjatë periudhës së tij si përzgjedhës i Spanjës. Ribashkimi me trajnerin spanjoll pritet të luajë një rol të rëndësishëm në aventurën e re të sulmuesit.
Tashmë kanë mbetur vetëm detajet e fundit për t’u mbyllur. Torres pritet të udhëtojë drejt Parisit më vonë gjatë kësaj jave, ku do t’i kryejë testet mjekësore, përpara se të vendosë firmën në kontratën e tij të re me PSG-në.
Nga ana tjetër, Barcelona do të humbasë një futbollist të rëndësishëm në repartin ofensiv. Torres iu bashkua klubit katalunas në vitin 2022 dhe gjatë periudhës së tij në “Camp Nou” u shndërrua në një prej alternativave kryesore në sulm, falë aftësisë për të luajtur si në krahë, ashtu edhe në qendër./Telegrafi/





