Pronarët e rrjetit social dikur më të popullarizuar në botë, Myspace, kanë paralajmëruar se platforma mund të rikthehet në jetë, e nxitur nga nostalgjia dhe lodhja e përdoruesve nga algoritmet. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se shanset për sukses në treg nuk janë të mëdha.
Myspace u themelua në vitin 2003 nga Tom Anderson dhe Chris DeWolfe, ndërsa në vitin 2008 platforma arrinte rreth 115 milionë vizitorë në muaj, raporton CNBC.
Myspace ishte i njohur për profilet plotësisht të personalizueshme, dizajnin e pazakontë dhe Tom Anderson, i cili automatikisht bëhej shoku i parë i çdo përdoruesi të ri.
Vëllezërit Tim dhe Chris Vanderhook e blenë Myspace në vitin 2011 dhe më vonë u përpoqën ta modernizonin platformën, në mënyrë që të mund të konkurronte me rritjen e jashtëzakonshme të Facebookut.

Eksperimenti nuk pati sukses, ndërsa vëllezërit Vanderhook thonë se, pavarësisht humbjes prej 150 milionë dollarësh në atë kohë, ata po presin momentin e duhur për rikthimin e platformës.
Paradoksi qëndron në faktin se Myspace mund të rikthehet pikërisht në një kohë kur përdoruesit kanë filluar sërish të vënë në pikëpyetje modelin e rrjeteve sociale që dikur e nxori atë nga tregu.
Instagrami, TikToku, Facebook-u dhe platformat e tjera të mëdha sot mbështeten kryesisht te algoritmet, videot e shkurtra dhe përpjekjet e vazhdueshme për të tërhequr vëmendjen e përdoruesve, gjë që te një pjesë e tyre po shkakton lodhje.
Një pjesë e brezit të mijëvjeçarëve dhe e Gjeneratës Z po përpiqet gjithnjë e më shumë të reduktojë kohën e kaluar në rrjetet sociale dhe po i drejtohet komuniteteve më të vogla digjitale, çka mund të krijojë një mundësi për rikthimin e Myspace.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se Myspace do të përballet me pengesa serioze nëse synon të bëhet sërish një platformë fitimprurëse.
Përdoruesit që e kujtojnë Myspace sot janë të rritur, me punë dhe familje, ndaj shtrohet pyetja nëse do të dëshironin të riktheheshin dhe të publikonin në mënyrë aktive përmbajtje në një tjetër rrjet social.
Në të njëjtën kohë, përdoruesit e rinj, të cilët nuk e kanë përdorur Myspace-in origjinal, presin një ndërfaqe më të thjeshtë, zbulim të shpejtë të përmbajtjeve dhe formate të shkurtra video.
Përveç kësaj, platformat e vogla dhe të mesme e kanë më të vështirë të tërheqin reklamues. Shembujt e aplikacioneve si Bluesky tregojnë se vala fillestare e interesimit shpesh zbehet shpejt, pas së cilës pason një rënie e ndjeshme e numrit të përdoruesve aktivë.
Myspace po planifikon rikthimin në një kohë kur në mbarë botën po vendosen rregulla më të rrepta dhe kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, gjë që e ndërlikon edhe më tej strategjinë e rritjes së platformës. /Telegrafi/





