Gashi: Nëse Kurti i ka 62 vota, ta konstituojë Kuvendin – mos ta mbajë Republikën peng për kalkulim elektoral

Nacionale

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja. Gashi ka thënë se nëse Kurti i ka 62 vota për konstituimin e Kuvendit, siç pretendon, atëherë duhet t’i përdorë ato vota dhe ta […]

Madhësia e shkronjave

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve të reja.

Gashi ka thënë se nëse Kurti i ka 62 vota për konstituimin e Kuvendit, siç pretendon, atëherë duhet t’i përdorë ato vota dhe ta funksionalizojë Kuvendin.

“Albin Kurti thotë se i ka 62 vota për konstituimin e Kuvendit. Po ashtu thotë se i ka 62 vota edhe për formimin e Qeverisë. Atëherë pyetja është e pashmangshme: Nëse i ke votat, pse nuk e konstituon Kuvendin?”, ka shkruar Gashi.

Ai ka argumentuar se, nëse ekziston shumica parlamentare, atëherë duhet të merret përgjegjësia për formimin e institucioneve dhe qeverisjen e vendit.

Sipas Gashit, përsëritja e thirrjeve për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për çështjet që lidhen me konstituimin e Kuvendit mund të shërbejë vetëm për zvarritjen e procesit.

“Po kërkohet drejtësi kushtetuese apo po kërkohet kohë?”, ka pyetur ai, duke shtuar se një rast i ri në Gjykatën Kushtetuese nuk e funksionalizon Kuvendin, por e shtyn atë.

Gashi ka ngritur dyshime se zvarritja e procesit mund të jetë pjesë e një strategjie politike që synon afrimin e zgjedhjeve të reja.

Ai ka thënë se shtyrja e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë ndikon edhe në procesin për zgjedhjen e Presidentit dhe, sipas tij, mund të krijojë terren për zgjedhje të reja.

“Prandaj duhet ta bëjmë pyetjen që nuk mund të fshihet më: A po kërkohet funksionalizimi i Republikës, apo po prodhohen kushtet për zgjedhje të reja dhe për një mandat edhe më të madh?”, ka deklaruar Gashi.

Deputeti i zgjedhur i LDK-së ka komentuar edhe rolin e diasporës, duke thënë se ajo është pjesë e rëndësishme e Kosovës, por se, sipas tij, respekti ndaj saj duhet të shoqërohet me përgjegjësi ndaj institucioneve dhe shtetit.

“Diaspora është pjesë e pandashme e Kosovës dhe meriton respekt të plotë. Por dashuria për diasporën nuk matet me simbolikë. Matet me përgjegjësi ndaj shtetit”, ka shkruar ai.

Gashi ka bërë thirrje edhe për një qasje konstruktive të opozitës. Sipas tij, LDK-ja duhet të jetë konstruktive, por jo naive, ndërsa ka vlerësuar se partitë opozitare kanë zgjedhur qasje të ndryshme përballë situatës politike.

Ai ka përmendur edhe PDK-në, e cila, sipas tij, “po pret shtatorin, me shpresën për kthimin e tre liderëve nga Haga si të pafajshëm”, duke vlerësuar se një zhvillim i tillë mund të ndikojë në konfigurimin politik.

Sa i përket AAK-së, Gashi ka thënë se kjo parti po zgjedh një përballje më të drejtpërdrejtë, ndërsa ka kritikuar idenë që opozita ta kopjojë qasjen politike të Kurtit.

“Opozita nuk duhet ta kopjojë Kurtin. Duhet të ndërtojë një alternativë më të fortë se Kurti”, ka shkruar Gashi.

Në fund, ai i ka bërë thirrje Kurtit që, nëse i ka 62 vota, ta konstituojë Kuvendin dhe të formojë Qeverinë.

“I ke 62 vota? Konstituoje Kuvendin. Nëse nuk i ke, ne t’i japim votat tona. Kryetarin e Kuvendit propozoje kë të duash. I ke 62 vota? Formoje Qeverinë”, ka deklaruar ai.

Gashi ka thënë se çështja e Presidentit duhet të trajtohet kur të vijë momenti, duke kërkuar që Republika të mos mbahet peng, sipas tij, për kalkulime elektorale.

“Nuk kemi nevojë për një pushtet që kërkon të kontrollojë gjithçka. Kemi nevojë për institucione që janë më të forta se çdo individ”, ka përfunduar Gashi.