Ardian Nuhiu është rikthyer zyrtarisht në krye të Dritës së Gjilanit, duke marrë edhe një herë drejtimin e skuadrës bardhekaltër.
Nuhiu zëvendëson Zekirija Ramadanin, i cili së fundmi u largua nga posti i trajnerit, ndërsa rikthimi i tij në Gjilan ka ngjallur pritshmëri të mëdha te tifozët e klubit.

Ky nuk është një ambient i panjohur për trajnerin nga Shkupi. Nuhiu ishte emëruar trajner i Dritës në shkurt të vitit 2019 dhe në sezonin 2019/20 arriti ta udhëheqë skuadrën drejt titullit të kampionit të Kosovës.
Drita e siguroi matematikisht titullin në korrik të vitit 2020, duke u shpallur kampione për herë të tretë në historinë e klubit.
Pikërisht ky sukses e ka bërë Nuhiun një prej trajnerëve më të lidhur me historinë e kohëve të fundit të Dritës.
Tani, disa vite më vonë, Nuhiu rikthehet në Gjilan me një mision të ri, ta udhëheqë Dritën drejt objektivave të saj në sezonin e ri.
Rikthimi i tij pritet të jetë një lajm i mirë për tifozët gjilanas, të cilët e kujtojnë Nuhiun si trajnerin që i udhëhoqi drejt një tjetër titulli kampion dhe një prej periudhave më të suksesshme të klubit. /Telegrafi/





